Ambasada e Republikës së Kosovës në Zagreb ka njoftuar se trafiku në pikat kufitare dhe në autostradat e Kroacisë po zhvillohet me vështirësi, si pasojë e fluksit të shtuar të udhëtarëve gjatë sezonit veror.
Siç njofton Ambasada në të gjitha pikat kufitare ndërkombëtare po zbatohet Sistemi Evropian i Hyrje/Daljes (EES), i cili regjistron automatikisht të dhënat personale, dokumentet e udhëtimit dhe kohën e hyrjes dhe daljes së shtetasve të vendeve të treta, njofton Dukagjini.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara më 2 gusht në ora 11:58, situata në kufirin Kroaci–Mali i Zi paraqitet si vijon Karasoviqi – pritjet për hyrje arrijnë deri në katër orë, ndërsa në dalje raportohen pritje disaorëshe me kolona që shtrihen në disa kilometra teksa në Vitaljina – pritjet në dalje janë rreth katër orë.
Për shkak të situatës së krijuar, kryetari i Komunës së Konavlës, Bozho Lasiç, ka aktivizuar Shtabin e Mbrojtjes Civile teksa banorëve lokalë u është bërë thirrje të shmangin udhëtimet e panevojshme me automjete personale, ndërsa policia po devijon një pjesë të trafikut në rrugë alternative.
Tutje bëhet e ditur se situata ka prekur edhe transportin publik, ku bashkatdhetarë që kanë shfrytëzuar shërbimet e Stacionit të Autobusëve në Zarë kanë kontaktuar Ambasadën e Kosovës në Zagreb dhe kanë raportuar vonesa deri në tre orë.