Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.
Me dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime, KQZ-ja nuk e certifikoi Listën Serbe.
Në një postim në Facebook, ambasadori Hargreaves shkruan se është “thellësisht i shqetësuar për përpjekjet e fundit të disa aktorëve politikë për të penguar pjesëmarrjen e Listës Serbe në proceset zgjedhore”.
Ai shtoi se këto veprime “rrezikojnë të dëmtojnë reputacionin e Kosovës si një demokraci shumëetnike dhe marrëdhëniet me partnerët e saj të ngushtë”.
“Shpresoj që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të shqyrtojë sërish aplikimin e Listës Serbe për certifikim sipas ligjeve dhe rregulloreve të Kosovës”, ka shtuar ambasadori britanik.
