Ambasadorja gjermane në Serbi, Anke Konrad, ka thënë se është për të ardhur keq që Lista Serbe nojkoti zgjedhejt e fundit në veri të Kosovës.

Konrad ka theksuar se serbët e Kosovës duhet të kthehen sa më shpejt në institucione.

“Serbët e Kosovës, të cilët u larguan nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, duhet të kthehen në to sa më shpejt të jetë e mundur. Ky, meqë ra fjala, është edhe një nga obligimet nga Marrëveshja e Brukselit, si dhe obligimi për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Dhe po, Asociacioni tani duhet të zbatohet shpejt, ne jemi të vendosur për këtë”, ka thënë Konrad.

Ajo shtoi se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, është “obligim kyç i Kosovës në këtë dialog” dhe se duhet të krijohen parakushte për të pa vonesë, por edhe që Serbia të zbatojë të gjitha obligimet e saj.

“Të dyja palët do të përfitojnë konkretisht nga zbatimi i marrëveshjes, sepse tensionet aktuale janë helm për të ardhmen e njerëzve, për investimet ekonomike dhe vendet e punës dhe pa normalizimin e marrëdhënieve nuk do të ketë anëtarësim në BE”, ka shtuar Konrad.