Amerika e paralajmëroi Gjeorgjinë të mos kthehej nën mbrojtjen e Moskës
Gjeorgjia është paralajmëruar nga SHBA-të që të mos bëhet kundërshtare e perëndimit duke u rikthyer në linjë me Moskën, pasi parlamenti i saj sfidoi protestat masive në rrugë për të miratuar një ligj “të frymëzuar nga Kremlini”. Ndihmës sekretari i shtetit i Uashingtonit, Jim O’Brien, foli për frikën e tij se miratimi nga parlamenti i […]
Gjeorgjia është paralajmëruar nga SHBA-të që të mos bëhet kundërshtare e perëndimit duke u rikthyer në linjë me Moskën, pasi parlamenti i saj sfidoi protestat masive në rrugë për të miratuar një ligj “të frymëzuar nga Kremlini”.
Ndihmës sekretari i shtetit i Uashingtonit, Jim O’Brien, foli për frikën e tij se miratimi nga parlamenti i Gjeorgjisë i një projektligji për “agjentët e huaj” të martën mund të jetë një tjetër “pikë kthese” në historinë e trazuar të ish-shtetit sovjetik.
Në komentet që dukej se sinjalizonin një bindje në SHBA se qeveria gjeorgjiane po bashkohej sërish me Rusinë , O’Brien sugjeroi se financimi mund të tërhiqej së shpejti.
Miliarda dollarë ishin shpenzuar nga SHBA për rindërtimin e Gjeorgjisë pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe qindra milionë të tjerë ishin planifikuar për ekonominë dhe ushtrinë e vendit, tha ai.
Sipas ligjit të ri gjeorgjian, mediat ose grupet e shoqërisë civile në Gjeorgji që marrin më shumë se 20% të financimit të tyre nga jashtë do të duhet të regjistrohen si “organizata që u shërbejnë interesave të një fuqie të huaj”, raporton theguardian.
Kryeministri i Gjeorgjisë Irakli Kobakhidze tha të hënën se vendi është viktimë e një “partie lufte globale” të udhëhequr nga SHBA.
O’Brien kritikoi gjithashtu oligarkun miliarder Bidzin Ivanishvili, kryetar nderi i partisë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, i cili shihet si drejtues i politikës së qeverisë.
I dërguari i SHBA-së kërkoi një takim me Ivanishvilin, por u refuzua me arsyetimin se SHBA kishte ngrirë 2 miliardë dollarë nga paratë e tij përmes sanksioneve “de fakto”, u tha Kobakhidze gazetarëve të hënën. O’Brien tha se “në këtë kohë” nuk kishte sanksione kundër Ivanishvilit dhe se ishte “tronditëse dhe zhgënjyese që një person i tillë është keqinformuar kaq keq”.
Një numër i madh i liderëve të opozitës u rrahën rëndë në rrugë kur u sulmuan nga banda të paidentifikuara, dhe ka edhe video të policisë duke goditur dhe shkelmuar protestuesit.
O’Brien paralajmëroi se SHBA është gati të sanksionojë ministrat dhe zyrtarët e qeverisë gjeorgjiane për krizën në zhvillim.















