Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), ka nisur një fushatë që synon rritjen e ndërgjegjësimit të publikut të gjerë dhe palëve të tjera të interesit në lidhje me cilësinë e ajrit në Kosovë.

Sipas AMMK-së, kjo fushatë është pjesë e projektit, “Ngritja e kapaciteteve mbi përdorimin e të dhënave mjedisore në Kosovë”, që zbatohet në bashkëpunim me Agjencinë Suedeze për Mbrojtjen e Mjedisit (SEPA), me mbështetje nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA).

“Në kuadër të kësaj fushate, do të ofrohen informata, udhëzime dhe materiale të tjera vetëdijësuese që kanë për qëllim që t’i mundësojnë publikut që të kuptojë rëndësinë e të dhënave për cilësinë e ajrit, të lehtësojë leximin dhe kuptimin e këtyre të dhënave si dhe të vetëdijësojë publikun për ndërmarrjen e veprimeve të mundshme për reduktimin e ndotjes së ajrit” thuhet në komunikatën e AMMK-së  për media.

Më tej, Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka inkurajuar publikun që të shkarkojnë dhe të përdorin aplikacionin për cilësinë e ajrit në Kosovë nga Rrjeti shtetëror i monitorimit të cilësisë së ajrit – Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Sipas tyre, Aplikacioni është një mjet i rëndësishëm për informimin lidhur me cilësinë e ajrit në Kosovë, për të rritur transparencën dhe për të ndërtuar besimin e publikut në cilësinë e këtyre të dhënave.