Amnesty International e quan të paligjshme marrëveshjen në mes të Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët

Amnesty International ka thënë se marrëveshja në mes të Italisë dhe Shqipërisë është e “jashtëligjshme dhe e pazbatueshme”

Amnesty International ka thënë se marrëveshja në mes të Italisë dhe Shqipërisë për dërgimin e emigrantëve të shpëtuar në Detin Mesdhe në qendrat e ndalimit në Shqipëri është e “jashtëligjshme dhe e pazbatueshme”.

Më 6 nëntor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, nënshkruan një marrëveshje, sipas së cilës, Italia do t’i dërgojë në Shqipëri emigrantët të cilët i kap dhe i shpëton në Detin Mesdhe, duke filluar nga pranvera e vitit të ardhshëm.

Por, Elisa De Pieri, hulumtuese rajonale në Amnesty International, tha se njerëzit që shpëtohen nga autoritetet italiane, përfshirë ata që kërkojnë siguri në Evropë, janë nën juridiksionin italian, dhe për këtë arsye nuk mund të dërgohen në një vend tjetër para se kërkesat e tyre për azil dhe rrethanat individuale të jenë shqyrtuar.

Ajo e akuzoi Italinë se përmes kësaj marrëveshjeje po përpiqet ta shmangë ligjin ndërkombëtar dhe të Bashkimit Evropian “duke pretenduar se njerëzit e ndaluar do të mbesin nën juridiksionin italian”.

Qeveria shqiptare njoftoi të martën se Italia ia ka ndarë tashmë 16.5 milionë euro si paradhënie për shpenzimet e mbajtjes së emigrantëve në kampe në territorin e saj në bazë të marrëveshjes.

Dy kryeministrat deklaruan se marrëveshja ka tre objektiva “të luftojë trafikimin e paligjshëm, të parandalojë flukset e parregullta dhe të mirëpresë ata që kanë vërtet të drejtën e mbrojtjes.”

De Pieri tha se marrëveshja ka të bëjë me “kthimin” e emigrantëve, një praktikë e cila është e ndaluar nga ligji ndërkombëtar dhe evropian dhe për të cilin Italia është dënuar nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e njeriut në vitin 2012, për kthimin mbrapsht në det të emigrantëve dhe të azilkërkuesve afrikanë.

“Ajo është e jashtëligjshme, e pazbatueshme dhe duhet të shfuqizohet”, shtoi ajo.

Ajo paralajmëroi “pasoja të rënda” për njerëzit që kërkojnë azil, duke shtuar se ata mund të mbahen gjatë në qendrat e ndalimit dhe mund të përballet me shkelje larg monitorimit nga autoritetet gjyqësore italiane.

Kjo marrëveshje shkaktoi reagime të shumta në të dyja shtetet, kryesisht për shkak të mungesës së transparencës.

Amnesty International i bëri thirrje Qeverisë së Italisë t’i përmbushë detyrimet e veta nga ligji ndërkombëtar për moskthimin e emigrantëve, si dhe i bëri thirrje Komisionit Evropian të mos i lejojë vendet anëtare të shkelin të drejtat e azilkërkuesve./REL

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika