Analisti politik nga Shqipëria, Ben Andoni, ka thënë se propozimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për Asociacionin, është bërë për ta larguar vëmendjen nga problemet e brendshme të shtetit që ai e qeverisë.

Andoni në emisionin “Five”, tha se askush nuk ka informata për draft-statutin e propozuar nga Rama, teksa shtoi se është dashur që idenë t’ia jepte Kosovës dhe jo ndërkombëtarëve, pasi sipas tij çështja e Asociacionit është çështje e brendshme e Kosovës.

Ai tha se nuk është e drejtë që kjo temë të shfrytëzohet nga Rama për të fituar poena politikë te ndërkombëtarët.

“Rama do të shmang vëmendjen nga problemet e brendshme, ka pasur disa arrestime të njerëzve që lidhen me PS-në. Shmangia e vëmendjes nga problemet, duket që diçka që bëhet në Tiranë, Prishtinë e Beograd. Askush nuk e di draftin që e ka propozuar, po mendoj që Tirana zyrtare në drejtimin e Ramës, të paktën nga viti 2015 ta jepte një ide, por Kosovës jo ndërkombëtarëve. Rama është kryeministër i Shqipërisë jo i një vendi evropian që po bashkëpunon me dy kancelaritë më të mëdha”, ka thënë ai.

“Drafti besoj që është i mbaruar, Kurti dhe të tjerët besoj e dinë shumë mirë. Tashmë po flitet vetëm për detaje, delegacionet nuk kanë qenë asnjëherë transparente. Tirana ka pasur mundësi të jap të paktën idenë e saj për Asociacionin, por në forma krejt të tjera, sepse ky është problem i Kosovës, shqetëson funksionalizimin e  Kosovës, të fitosh pikë në arenën ndërkombëtarë në këtë lloj mënyre nuk më duket shumë e drejtë”, ka vijuar ai.

Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri të ditur se ua ka dorëzuar një propozim për Asociacionin kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron. Sipas tij ky draftstatut, është punuar nga ekspertë amerikanë dhe evropianë.