Analisti Ben Andoni ka folur për bashkimin në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, ku ka thënë se ndjena e bashkimit me Shqipërinë kishte qenë më e madhe pas luftës së Kosovës, por sipas tij, tani është duke u larguar gjithmonë e me larg.

Sipas Andonit, politikanët e Shqipërisë nuk kanë për qëllim bashkimin kombëtar, por vetëm e përdorin për qëllimet të tyre politike në mënyrë retorike, e jo praktike.

“Por kur gjykon nga kultura e tyre edhe kur gjykon nga paradigmat që ka ngritur për lidhjen tonë, kupton që po largohemi gjithnjë e më shumë me njeri-tjetrin”, ka deklaruar Andoni.

Më tej, ai ka thënë se Kosova në dokumentet e saj të krijimit si shtetet i pavarur, e ka të definuar qartë statusin e saj, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Edhe retorika që është bërë me qëllime patriotike është bërë për konsum politik, kjo është parë edhe nga metamorfoza e menjëhershme e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për sa i përket simbolikës kombëtare edhe elementeve të tjerë”, ka thënë ai.

Tutje, Andoni ka thekuar se Kosova është në rrugën për identitetin e vetë shtetëror.

“Kosova edhe Shqipëria duhet të kishin një qasje kulturore të përbashkët që t’i paraprin bashkimit kombëtarë në një të ardhme të mundshme”, ka shtuar ai.