Anamorava – Zona e shpresës së harruar

Në thellësitë e Anamoravës, ku historitë dhe realitetet përplasen në një valle të heshtur, një tregim i harruar po pret të zbulohet

Ky artikull nuk është vetëm një pasqyrë e jetës së përditshme por është një thirrje për zgjim, një ftesë për të ndjerë pulsin e një rajoni që rri në pritje të ndryshimit.

Na ishte një herë në zemrën e Kosovës Lindore një zonë e quajtur Anamoravë. E duket që ka kohë që është lënë në harresë sikur të mos ekzistojë fare. Duket sikur ka mbetur vetëm një emër që jehon si një kujtim i largët, apo edhe një premtim i harruar. Por Gjilani, kryeqendër e kësaj ane, është më shumë se një pikë në hartë është një nyje vitale që lidh Kamenicën dhe Vitinë, dhe më tej, si një urë ndërmjet Kosovës dhe botës shqiptare të mbetur përtej kufijve Preshevë, Medvegjë, Bujanoc dhe Kumanovë. Këto lidhje janë jo vetëm gjeografike, por janë fije të pandashme që qëndrojnë për bashkimin dhe solidaritetin shqiptar. Një qytet, një rajon të cilit i është premtuar shumë!

Përgjegjësia e çdo partie politike, çdo lideri dhe çdo individi që mban brenda zemrës një dashuri për shqipëtarinë mbetet ajo që ata të bëjnë realitet ato premtimet e ëmbla që janë dhënë. Është detyra jonë të ndërtojmë ura jo vetëm të betonit dhe çelikut, por ura të ndjenjave dhe të bashkëpunimit, që të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijve, të ndjejnë Kosovën si shtëpinë e tyre të përbashkët.

E kohërat dhe vitet kalojnë , qeveritë vijnë e ikin, kryeministra, ministra, deputetë, kryetarë komunash dhe asambleistë ndërrohen, por premtimeve të tyre u mungon realizimi. Qytetarët e Rajonit Lindor të Republikës së Kosovës vazhdojnë të vuajnë nga kjo mungesë e përmbushjes së asaj që ju premtohet.

Pasojat janë të mëdha, dhe heshtja mbizotëron. Akterët politikë flasin para se të vijnë në pushtet, por kur arrijnë atje, loja ndryshon dhe fjalët e tyre ndalojnë. Çuditërisht, heshtja fillon edhe nga qytetari që i ka votuar ata. Duket se Levitsky ka të drejtë kur në librin e tij “Si vdesin Demokracitë” thekson që votuesit nga mosdëshira për të pranuar që janë mashtruar rrezikojnë të votojnë prapë të njëjtin politikan që i kishte mashtruar më parë. A ka të ngjarë që e njëjta të ndodhë edhe në Gjilan, si një regjion për të cilin mendohet që ka votuesin më të emancipuar?!

Ndërsa rrugët mbeten të papërfunduara dhe aksidentet rrugore vazhdojnë të ndodhin, qytetarët pyesin: a është ky fati ynë i përhershëm?

Mjafton të shihen Si shembull pengesat në rrugë, devijimet dhe aksidentet te cilat janë bërë pjesë e jetës së përditshme për banorët e Anamoravës. E qytetarit i shitet si fakt i mosrespektimit të rregullave, të tjerët fajësojnë shpejtësinë që sjell kaos në këtë valle të rrezikshme por fare rrallë dëgjohet të përmendet që në fakt atyre që u është dhënë besimi me votë dhe kanë marrë përgjegjësinë për menaxhim, duket sikur nuk i vërejnë (apo ndoshta edhe nuk kanë kapacitetin e dijes) fare këto anomali.
Në një distancë prej 47 km (rrugës për në kryeqytet) udhëtarët përballen me një sërë sfidash që zgjasin udhëtimin deri në një orë e tridhjetë minuta.

A nuk është e lodhshme dhe e mërzitshme, të ikësh nga gropa në gropë që ndonjëherë të detyrojnë të ndërrosh edhe shiritin e që e bën një hap edhe më të rrezikshëm duke mos pasur mundësinë që ndonjëherë edhe të shikosh se në shiritin tjetër është duke ardhur një veturë nga kahja e tij apo mos të lëvizësh dhe të përfundosh në gropat të cilat sjellin vetëm dëme materiale dhe shpenzime të tjera gjatë këtij rrugëtimi, apo të përballesh me tre kamionë që ecin me 20 km/h në një tatëpjetëze të pafund?

Ose kur shiu bie, dhe sytë e tu kërkojnë me kujdes një rrugë të sigurt, për të shmangur rrëshqitjet e dheut që ngushtojnë rrugën që ti ke para dhe të bënë që përsëri para syve tu të shfaqet vetura në shiritin e tij, pra edhe pjesa tjetër duhet të mendoj se mos po shfaqet papritur një veturë para tij duke u munduar që të ikën nga ndonjë pjesë jo e mire rrugore. Po e përmend si shembull, pasi dëgjova babanë tim që thoshte që infrastruktura rrugore po kthehet në periudhën e pasluftës!

E këto dhe shumë të tjera, mund t’i ndjejë vetëm punëtori, studenti, biznesmeni dhe secili që e kanë të domosdoshme që këtë rrugë ta përshkojë çdo ditë ndoshta edhe dy ose tre herë në ditë. Duket sikur para se të nisesh duhet të

Marrësh „hallallin“ e familjes, sepse udhëtimi duket si një lundrim në det të hapur, ku do përballesh me erërat, dallgët e mëdha, dhe nuk dihet nëse do të shpëtosh nga stuhia që vjen pa paralajmërim.

Anamorava para pak vitesh ishte i njohur edhe si rajon i futbollit për shkak të derbit të tij të madh, tani është vetëm hija e asaj që ishte. Në fushën e gjelbër, në kryeqendrën e këtij rajoni ku dikur pasionet shpërthenin si flakë, ku tifozët dhe lojtarët bashkëndërtonin ëndrra pa mbarim, anamorava mburrej me derbin që zemrat i bënte të dridhen. Por sot, në vend të duartrokitjeve, dëgjohet vetëm heshtja e trishtuar.

Stadiumi, që dikur ishte krenaria e qytetit të futbollit, tani është vetëm një kujtim i largët, një premtim i harruar nga akterët politik. Rindërtimi i tij që filloi me shpresë në vitin 2017 kurrë deri më sot nuk mori formë. Shtatë vjet më vonë, në vitin 2024.

Ku janë tifozët që dikur binin në dashuri me lojën? Ku janë klithmat e gëzimit, tensioni i çdo ndeshjeje?
Tashmë, stadiumi është vetëm një vend lojërash për fëmijët e lagjes, një park i vogël ku ëndrrat e lojërat e mëdha janë zëvendësuar me lojëra të thjeshta. E beteja e tenderëve vazhdon. Premtimi doli të ketë qenë gënjeshtër…njëjtë sikur të gjitha premtimet tjera!

E në zemrën e Anamoravës, ku kujtimet po fluturojnë si gjethe në erë, ku ëndrrat e mëdha u ndërtuan mbi premtimet e një të nesërme më të mirë, e atje ku heshtja e sotme po flet më shumë se mijëra fjalë të dikurshme, ndjenja e harrimit është duke e mbështjellur çdo cep, sikurse mjegulla që fsheh horizontin. Por prapë ende mbetet shpresa, që një ditë do të rikthehet lavdia, që Anamorava do të rilindë si feniksi nga hiri i harresës, dhe stadiumi do të mbushet përsëri me zërat e tifozëve, që do të këndojnë së bashku, në një konkurs të ri triumfi dhe pasioni.

Investimet duhet të jenë të guximshme dhe gjithëpërfshirëse, duke u shtrirë nga infrastruktura deri te zhvillimi ekonomik, nga bashkëpunimi kulturor e arsimor deri te fuqizimi i lidhjeve sociale. Këto janë themelet mbi të cilat do të ndërtohet një lidhje e qëndrueshme dhe e fortë ndërmjet Kosovës dhe vëllezërve dhe motrave tona jashtë saj. Kështu, këto rajone dhe pjesa e Anamoravës nuk do të ndihen të anashkaluara, por do të jenë pjesë e përparimit dhe zhvillimit të përgjithshëm të rajonit dhe më gjerë.

Hapeni mendjen dhe zemrën tuaj, ndërsa udhëtojmë përmes rrugëve të Anamoravës, duke parë e duke zbuluar jo vetëm sfidat që i shtyjnë banorët në kufijtë e durimit, por edhe shkëlqimin e shpresës që ende ndriçon në sytë e tyre për një të mire që herët apo vonë ajo do vije. Anamorava nuk është vetëm një zonë e harruar ajo është një kapitull i ri që pret të shkruhet, një këngë që pret të këndohet.

Në kërkim të një të ardhmeje më të ndritur, ne, banorët e Anamoravës, duhet të marrim përsipër rolin e autorëve të fatit tonë. Nuk është mjaftueshëm të identifikojmë sfidat dhe të shprehim shqetësimet por është koha që të gjithë të veprojmë me guxim dhe vendosmëri. Politika dhe strategjitë e zhvillimit duhet të jenë më shumë se fjalë në letër ato duhet të shndërrohen në vepra konkrete që do të ndezin shkëndijën e ndryshimit në çdo fushë nga ekonomia deri te kultura, nga arsimi deri te infrastruktura.

Le të jemi ne ata që do të japim jetë kësaj kënge dhe të shkruajmë atë kapitull. Anamorava nuk është vetëm një zonë e harruar ajo është një kapitull i ri që pret të shkruhet, një këngë e re që pret të këndohet. Kjo është thirrje për veprim, një ftesë për të gjithë, sidomos të rinjtë, që të qëndrojnë dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një të ardhmeje që do të na bëjë të gjithëve krenarë.

Të përpiqemi që betejat e brendshme politike të partive të mos i shuajnë akterët potencial që kanë dije e Anamorava të mbetet e papërfaqësuar, por të ndërtojmë akter që kanë dije, kompetencë dhe guxim të shtyjnë Anamoravën para! Të përpiqemi që qytetari i Anamoravës të ketë përfaqësimin që e meriton dhe që ai përfaqësim të jetë pasqyra e vërtetë e Anamoravës!

Prandaj le të jemi ne ata që do të japim jetë kësaj kënge dhe do të shkruajmë atë kapitull.

Të fundit nga rubrika