Influencuesit kontrovers Andrew dhe Tristan Tate janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të një hetimi britanik për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë përdhunimin dhe trafikimin e qenieve njerëzore për shfrytëzim seksual.
Sipas Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës në Mbretërinë e Bashkuar (CPS), ndaj dy vëllezërve janë ngritur akuza të reja që lidhen me katër viktima të tjera të dyshuara, ndërsa autoritetet britanike kanë kërkuar ekstradimin e tyre.
Andrew Tate, 39 vjeç, përballet me shtatë akuza të reja për përdhunim, tri akuza për organizim ose lehtësim të trafikimit për shfrytëzim seksual, tri akuza për sulm që ka shkaktuar lëndime trupore, si dhe 19 akuza të tjera që lidhen me imazhe të pahijshme të fëmijëve dhe materiale pornografike ekstreme.
Ndërkohë, Tristan Tate, 38 vjeç, akuzohet për një rast të ri të sulmit seksual, dy akuza për përdhunim dhe tri akuza për organizim ose lehtësim të trafikimit për shfrytëzim seksual, raporton The Guardian.
CPS bëri të ditur se 38 akuzat e reja, të cilat u shtohen 21 akuzave të ngritura më herët, lidhen me vepra penale që dyshohet se janë kryer ndërmjet korrikut 2010 dhe gushtit 2017. Me këto akuza, numri i përgjithshëm i viktimave të pretenduara në këtë rast ka arritur në shtatë.
Marshals-ët amerikanë konfirmuan se vëllezërit Tate u arrestuan në Miami të shtunën, ndërsa Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi se arrestimi është bërë në kuadër të procedurave për ekstradimin e tyre drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Avokati Matt Jury, i cili përfaqëson katër gra britanike që pretendojnë se janë viktima të Andrew Tate, tha se arrestimi e afron mundësinë që ai të ekstradohet në Britani dhe të përballet me drejtësinë.
Në anën tjetër, avokati i vëllezërve Tate, Joseph McBride, i hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht dhe të lidhura me paditë për shpifje që klientët e tij kanë ngritur në SHBA. Ai deklaroi se Andrew dhe Tristan Tate janë të pafajshëm dhe se pret që gjykata t’i lirojë.
Policia e Bedfordshire tha se hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me CPS-në dhe autoritetet vendase e ndërkombëtare, duke u bërë thirrje publikut të mos spekulojë derisa procesi ligjor të përfundojë.
Vëllezërit Tate kanë mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat për abuzim seksual dhe trafikim të qenieve njerëzore. Ata po përballen edhe me procese gjyqësore në Rumani, ku jetojnë aktualisht, ndërsa autoritetet britanike kishin siguruar urdhërarreste evropiane për ta që në vitin 2024. Në qershor, një gjykatë e lartë në Britani hodhi poshtë kërkesën e tyre për të sfiduar ligjërisht CPS-në lidhur me procedurat e çështjes.