Lufta në Ukrainë dhe çlirimi i Kosovës – dy ngjarje që lidhen veç në ëndrrat e Putinit

Për aneksimin e territoreve ukrainase nga Rusia që po konsiderohet i paligjshëm nga vendet perëndimore kanë folur edhe analistët politikë në Kosovë. Ata janë shprehur se përdorimi i forcës është shkelje e plotë e ligjit ndërkombëtar

Fotoilustrim: Territoret ukrainase që janë aneksuar paligjshëm nga Rusia





“Unë jam prej atyre që nuk e përjashtoj absolut një invadim ushtarak të Serbisë në Veri të Kosovës. Këtë Serbia mund ta bëjë në mbështetje të Rusisë, ndoshta jo publikisht po në rrugë operative”.

Kështu ka deklaruar për Portali Dukagjini, analisti politik njëherësh profesori universitar, Fatos Rushiti, duke bërë një analogji të situatës së Kosovës në veri dhe situatës në Ukrainë.

“Po supozojmë se kjo do të ndodhë dhe bëhet problem i madh, dhe do të pritej reagimi i NATO-s, por më pas a mund të kemi një tërheqje të Serbisë pa ndonjë kompromis”, ka vijuar ai.

Fatos Rushiti, analist politik dhe profesor universitar në UBT

Sipas tij, Serbia ka krijuar kontekste politike me bazë qeverisjen lokale, ku politikanë shumë të dyshimtë shqiptarë punuan në krijimin e komunave te reja me shumicë etnike serbe.

Më 30 shtator, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka bërë aneksimin e paligjshëm të katër rajoneve ukrainase, Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia.

Ai ka nënshkruar dokumentet e aneksimit dhe ka emëruar liderët rusë në të katër territoret ukrainase.

Fjalimi i tij pasoi mbajtjen e referendumeve të pretenduara në rajonet e kontrolluara pjesërisht nga ushtria ruse, referendume të cilat perëndimi i ka konsideruar të paligjshme.

E për këtë, Rushiti ka thënë se pas referendumeve që u mbajtën në këto rajone për bashkëngjitjen me Rusinë, nuk u pa ndonjë reagim i ashpër i ShBA-së dhe vendeve më të fuqishme perëndimore.

“Si duket, të njëjtit shpresojnë te një zmbrapsje e Putinit duke pasur mendjen te forcat e armatosura ukrainase që po furnizohen me armatim modern po nga ato vende dhe vende të tjera të Evropës së Mesme”, ka thënë Rushiti.

Po ashtu, edhe për fjalimin e Putinit, ai ka thënë se nuk po i bën përshtypje Perëndimit.

“Kjo shpjegohet nga njëra anë se Perëndimi shpreson te një revoltë e brendshme nga kupolat drejtuese ushtarake, me gjasë dhe mund të kenë informata nga shërbimet inteligjente, ndërkaq nga ana tjetër mund të tolerohet edhe më shumë një luftë edhe me më shumë viktima, për ta izoluar më pas Putinin dhe për ta akuzuar për krime lufte”.

Sipas Rushitit, në Rusi është ngritur një sistem i tërë me bindjen e një pjese të konsiderueshme të popullit rus, që druajnë nga demokracia perëndimore të cilën e shohin si të rreme dhe mjet për ekspansion territorial drejt Evropës Lindore dhe ndoshta dhe mjet per imponim forcash para një konfigurimi të ri të rendit botëror.

Ai ka thënë se Putini me ide nacionaliste, me bazë në ideologjinë cariste, duke e shkoqitur të kaluarën komuniste, nuk është i vetëm në luftën kundër Perëndimit.

“Atje ka pak gjasa të revolucionarizohet veprimi opozitar, duke e shuar çdo zë të fuqishëm opozitar. Në këtë pikë, perëndimi pothujase ka dështuar të ndërtojë substrat opozitar me bindje në demokraci dhe shtet ligjor siç bën pothujse me të gjitha shtetet e ish-bllokut komunist”.

E për këtë profesori universitar, Ngadhnjim Brovina, për Portali Dukagjini, ka thënë se në rastin e Kosovës është një situatë krejtësisht ndryshe.

“Në Kosovë nuk ka gjendje lufte, sikurse në Ukrainë. Është e kuptueshme që veriu i vendit nuk kontrollohet në tërësi nga institucionet e Kosovës, mirëpo duhet pasur parasysh që në Kosovë ka pjesëmarrje të organizatave ndërkombëtare, më saktësisht KFOR/NATO si mision politiko-ushtarak e i cili siguron paqe, qëndrueshmëri dhe stabilitet në veri të Kosovës”.

Siç thotë Brovina, në veri të Kosovës nuk mund të ndodhë një rast sikurse tani në katër territoret ukrainase, sepse, po të mundej, Serbia deri më tani do të tentonte ta bënte një gjë të tillë me përkrahjen e Rusisë.

Ngadhnjim Brovina, profesor universitar

Sipas Brovinës, aneksimi i katër terrritoreve ukrainase nga Rusia, është shkelje e së Drejtës Ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së.

“Edhe pse aneksimi u arsyetua që ndodhi pas një referendumi, vetë referendumi ishte i paligjshëm. Fjalimi i presidentit rus, Putin kishte për synim të tregonte një lloj supremacie ruse”.

Ai ka thënë se Putini, në të njëjtën kohë, nëpërmjet fjalimit dhe organizimit ceremonial të aneksimit të katër territoreve ukrainase, dëshironte ta “shiste” si triumf të Rusisë dhe mundohej që të ngriste moralin e ushtarëve rusë që gjenden në vijat e luftës, por edhe të atyre që u thirrën si ushtarë rezervistë.

Presidenti i Rusisë gjatë fjalimit të tij duke nënshkruar aneksimin me liderët e territoreve ukrainase

Se sa avantazh mund të ketë Rusia me aneksimin e këtyre territoreve, ai ka thënë se përfitimet që ka Rusia me këto katër territore e që sipas statistikave i bie të jenë 15 për qind e territorit ukrainas, janë edhe në aspektin ekonomik, por edhe në atë gjeopolitik.

Këto përfitime të Rusisë përkrah Ukrainës nuk i mohon as analisti Rushiti.

Sipas tij, avantazhet janë të mëdha, jo vetëm në aspekt të shtrirjes territoriale të forcave ruse, por edhe në aspekt të përkrahjes vendore nga ukrainasit që janë të lidhur me Rusinë.

“Nëse nuk veprohet shpejt në kthimin e këtyre rajoneve, Rusia përgatit terren për ndarjen e Ukrainës të ëndërruar moti, jo vetëm nga Putin si udhëheqës nacionalist”.

Se sa do të mund të rezistojë Ukraina në këtë luftë dhe cilat do të jenë sfidat e saj gjatë rrugëtimit për anëtarësim në NATO, Rushiti ka thënë se pas mobilizimit të madh rus pritjet janë drejt një anëtarësimi të shpejtë, edhe pse, siç thotë ai, për shkak të procedurave ligjore kjo merr kohë.

“Perëndimi në këtë pikë ndoshta mund të jetë shumë më intensiv drejt pajisjes me mjete dhe armë më moderne ushtarake, dhe ndoshta edhe mund të ndërmarrë ndonjë hap për të ndërprerë korridoret e furnizimit të ushtrisë ruse në Ukrainë me ndihmën eventuale të Turqisë dhe vendeve të tjera përreth”.

Ndërsa, profesori Brovina në lidhje me këtë ka thënë se shtetet perëndimore janë munduar që nëpërmjet sanksioneve ta stopojnë dhe ta dobësojnë Rusinë, por në të njëjtën kohë e kanë ndihmuar ushtarakisht Ukrainën.

“Kërkesa e Ukrainës tani është që vendi të anëtarësohet me procedura të përshpejtuara në NATO. Se a do të ndodhë kjo, mbetet të shihet edhe pse duket paksa e vështirë për faktin se të gjitha shtetet anëtare të NATO-s (30 shtete) duhet ta përkrahin një iniciativë të tillë”.

Ndër të tjera, ai ka thënë se varet se sa do t’i bëjë ballë Ukraina sulmeve ruse në ditët në vazhdim dhe mbetet të shihet edhe ndihma që do të vazhdojë dhe deri në çfarë mase do të jetë ajo nga vendet perëndimore.

Ndryshe, Ukraina po hyn në ditën e 224-të të luftës nga agresioni rus.





Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika