Bekir Gërguri, nga e enjtja, 22.02.2024, ka nisur punën në pozitën e re, si ushtrues detyre i kryeshefit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Bekir Gërguri e ka konfirmuar se është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në zgjedhjet lokale të vitit 2017, ai ishte edhe kandidat i kësaj partie për Kuvendin Komunal të Fushë-Kosovës.

Në një bisedë për KALLXO.com, Bekir Gërguri e pranon që është pjesë e partisë që udhëheq me qeverinë e Kosovës, por mohon që është favorizuar nga partia e Albin Kurtit për t’u emëruar u.d. kryeshef në KEK.“Nuk e di çfarë pyetje kjo, çka po ju intereson? Po, (jam anëtar i LVV-së), përgjigjen e paskeni…” – ka deklaruar ai.

Tutje, Gërguri nuk ka dashur të japë informacione. “Çdo gjë që ju intereson, shkoni në institucione…”

Në listat e rezultateve për zgjedhjet lokale të vitit 2017 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Bekir Gërguri figuron si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje në Fushë-Kosovë me vetëm 47 vota të grumbulluara.

KALLXO.com ka kërkuar nga zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, konfirmimin nëse Bekir Gërguri ka pozitë udhëheqëse brenda strukturave të LVV-së në Fushë-Kosovë, por ai nuk ka kthyer ende përgjigje. Më 25.04.2023, Bordi i KEK-ut kishte suspenduar kryeshefin ekzekutiv të ndërmarrjes, Nagip Krasniqi, pasi ai ishte arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës më 19.04.2023, nën dyshimet për tri vepra penale, të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, të ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesit.

Krasniqi kishte qëndruar në paraburgim për disa muaj, ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë më 15.09.2023 e liroi atë nga paraburgimi.

Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi kishte kritikuar emërimin dhe zgjedhjen e njerëzve partiakë në institucione publike.

Më 16.12.2023, KALLXO.com raportoi se dy njerëz të partisë e cila drejton Qeverinë e vendit, Lëvizjes Vetëvendosje, janë zgjedhur në dy pozita të larta udhëheqëse në ndërmarrjen publike KRU “Hidroregjioni Jugor” në Prizren. Feim Fetoshi, vitin e kaluar ishte zgjedhur kryesues i bordit të ndërmarrjes nga qeveria që drejtohet nga Albin Kurti.

Në anën tjetër, në tetor të vitit 2023, bordi i ndërmarrjes kishte zgjedhur Vetim Shalën sekretar të KRU “Hidroregjioni Jugor” në Prizren.

Ndërsa, më 02.12.2022, KALLXO.com raportoi për zgjedhjen e Faruk Mujkës, asamblistin e LVV-së në Mitrovicë dhe ish-nënkryetarin e Komunës së Mitrovicës në postin e kryeshefit ekzekutiv në Ndërmarrjen publike “Ibër-Lepenc”, raporton KALLXO.com.

Ndërsa një skandal i madh kishte shpërthyer 11 vjet më parë në Korporatën Energjetike të Kosovës, derisa në 15 hektarë tokë të kontaminuar ishte mbjellë kulturë bujqësore, përkatësisht grurë. Në mes të deponisë së hirit kishte filluar kultivimi i bukës së gojës. E këtë e kishte bërë hiç më pak se Bekir Gërguri, njeriu që këtë mërkurë u emërua drejtor në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Këtë e kishte bërë Bekir Gërguri dhe Azem Bytyqi, banor të fshatit Dardhishtë të komunës së Obiliqit, të afërt me zyrtarë të atëhershëm të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Zona ku po rritet gruri, dyshohej se mund të ishte kancerogjene për shkak të pranisë së metaleve të rënda.

Krejt ky proces nuk i kishte ikur auditorit të brendshëm të KEK-ut, i cili i kishte bërë thirrje urgjente Ministrisë së Bujqësisë të marrë masa për këtë dukuri shqetësuese për sigurinë e shëndetit të qytetarëve.

Pikërisht, Bekir Gërguri këtë të mërkurë u emërua drejtor në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Përveç skandalit të mbjelljes së grurit në tokën e kontaminuar, Bekir Gërguri ishte edhe kandidat për asmbleist në Fushë-Kosovë nga Lista e Vetëvendosjes në zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Ky emërim është bërë menjëherë pas shkarkimit nga kjo pozite e u/d/ drejtorit, Përparim Kabashi. Për shkarkimin e Kabashit sikurse as për njoftimin e drejtorit të ri nuk kanë dashur të japin informata nga Korporata Energjetike e Kosovës të mërkurën.

Madje Gazeta Infokus mëson se emërimi i drejtorit të ri është kërkuar të mos publikohet aktualisht.

Ligji për Ndërmarrje Publike e ndalon rreptësisht që në pozita drejtuese të këtyre ndërmarrjeve të emërohen njerëz politikë. Me të njëjtin ligj vite më parë është larguar nga gara Blerand Stavileci, i cili kishte dashur të bëhej drejtor në këtë ndërmarrje. E për këtë më të zëshmit kishin qenë njerëzit e VV-së, që asokohe ishin në opozitë.

Përveç kësaj, KEK-u është ndërmarrja publike që i ka prodhuar më së shumti skandale këtij pushteti.

Skandalet e shumta të shitblerjes së energjisë elektrike ku u përfshi ambasadori i Kosovës në Slloveni, Martin Berisha e deri të dhjetëra dyshime për afera e korrupsion në tender që quan në arrestimin e ish-kryeshefit, Nagip Krasniqi. Kjo ndërmarrje ka bërë edhe shumë dallavere me rekrutimin e 120 njerëzve të afërt me ministra e deputetë të partisë në pushtet, por që në fund pas shumë presionesh u anulua, raporton Gazeta Infokus.