Ankesa e Vetëvendosjes në PZAP, domethënëse apo fushatë?
Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon edhe më tutje betejën për t’ia pamundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet e 9 shkurtit. Hapin e radhës, partia e kryeministrit Albin Kurti e bëri dje duke dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e Listës Serbe. Partia në pushtet […]
Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon edhe më tutje betejën për t’ia pamundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Hapin e radhës, partia e kryeministrit Albin Kurti e bëri dje duke dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e Listës Serbe.
Partia në pushtet vlerëson se certifikimi i saj është bërë kundërligjshëm pasi nuk ka pasur votim në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Gjithsesi, ish-kryetari i këtij komisioni po beson se kjo çështje po përdoret më shumë për nxitje të elektoratit.
“Ne jemi në një situatë të parafushatës që në fakt po tingëllon sikur me qenë fushatë elektorale, jemi para një procesi elektoral dhe mbase subjektet politike dëshirojnë të shfrytëzojnë çdo rast dhe çdo mjet që të ushtrojnë bindjen e tyre për një çështje të caktuar”, ka thënë Mazllum Baraliu.
Baraliu thotë se ligji e lejon edhe një mundësi për të provuar anulimin e certifikimit.
“Atyre që mund të jenë subjekt i interesuar juridik, në këtë rast siç e ka treguar këtë element LVV, mund të shfrytëzojnë revizionin, si mjet i jashtëzakonshëm juridik që ushtrohet në Gjykatën Supreme të Kosovës”, ka shtuar Baraliu.
Ndërsa ish-anëtari i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa po thotë se vendimi i KQZ-së tashmë është vërtetuar nga dy institucione.
“Ankesa është e lejueshme, mirëpo për këtë çështje ka vendosur PZAP me vendim dhe vendimi i PZAP-së është vërtetuar nga ana e Gjykatës Supreme. Dhe ky vendim është meritor dhe për këtë ka vendosur PZAP që të certifikohet Lista Serbe”, ka thënë Hasan Shala.
Lëvizja Vetëvendosje e akuzon Listën Serbe për veprime që luftojnë shtetin e Kosovës dhe mbrojnë Milan Radoiçiqin, udhëheqësin grupit terrorist serb.















