Punimet për një rrugë të re në zemër të Arbërisë, Kryetari Përparim Rama i përurori dy vite më parë.

E dy vjet pas, i vetmi dallim nga fotot e përurimit, janë makineritë prezente aso kohe ngase gjendja e rrugës, ka mbetur po e njëjta.

Punimet, që kishin nisur derisa Drejtor për Investime Kapitale ishte Krenar Xhaferit, në gjysmë të rrugës “Ferid Curri” u ndërprenë.

Pjesa tjetër ka mbetur po e njëjta duke ua vështirësuar banorëve jetën e përditshme.

”Ka dy vjet që është kështu, prishu ndrequ. E rregulluan pak në fillim, prapë e kanë prish. As s’ka parking. S’është fare e qarkullueshme. Banorët bëhen nervoz shumë edhe po zgjatin punimet, keq në mes të qendrëss. Po ka edhe raste me fëmijë të vegjël, ata me karrocë, po është problem”, ka thënë Sali Koci, banor në Arbëri.

Mosrregullimi i kësaj rruge, ka shkaktuar problem edhe me parkingun e banesave duke e bërë atë, jofunksional.

”Edhe prodrumi për vetura është blloku, 50 vetura i zë asnjë s’mundet të hyjë. Një besa ra një ditë, u kthye për nga mbrapa dhe i ra vetura, e dëmtoj shumë për gjynah të Zotit. Kërkesa jonë është t’i kushtojnë vëmendje më shumë, bile rrugëve që janë në qendër”, ka thënë Sali Koci, banor në Arbëri.

Si Koci ka shumë por që u treguan të rezervuar të deklarohen para kamerave gjersa theksuan se në stinë të vjeshtës e dimrit, rruga s’mund të kalohet as në këmbë.

Disa prej tyre, fajësuan disa prona private e përgjigje të njëjtë dha edhe Komuna e cila njëheri, pa dhënë detaje të shumta, premtoi zgjidhje të shpejtë.

”Çështja është që kur ka nisur të punohet rruga, kemi pasur kordinatat e rrugës publike. Ka pasur disa palë që kanë pretenduar se kemi diferenca në aspektin e pronës dhe jemi duke bërë një rivlerësim në çështjen e pronës. Besoj që shumë shpejt do definohet kjo çështje dhe më pas, për 30 ditë, përfundohet rruga. Mundemi me llogarit që për një muaj, një muaj e një javë, rruga është e përfunduar”, ka thënë Sokol Havolli, Drejtori për Investime Kapitale në Komunën e Prishtinës.

Në këtë rrugë, shihet se rrjeti i ujësjellësit ka mbetur në gjysëm ndërsa operatori privat sipas banorëve, nuk ka operuar që nga viti i kaluar.