Anulohen dy seanca, gjykimi ndaj Shalës vazhdon më 16 qershor
Ka përfunduar intervistimi i dëshmitarit të shtatë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Procesi gjyqësor do të vazhdojë të premten e 16 qershorit, me paraqitjen e provave nga ana e Prokurorisë, ndërsa seancat e tjera të planifikuara për këtë javë janë anuluar. Dëshmitari i shtatë i Prokurorisë, i cili […]
Ka përfunduar intervistimi i dëshmitarit të shtatë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Procesi gjyqësor do të vazhdojë të premten e 16 qershorit, me paraqitjen e provave nga ana e Prokurorisë, ndërsa seancat e tjera të planifikuara për këtë javë janë anuluar.
Dëshmitari i shtatë i Prokurorisë, i cili ka dëshmuar nën masa mbrojtëse, sikur edhe gjashtë të tjerët para tij, është dëgjuar kryesisht në seanca të mbyllura për publikun.
Me pyetje nga Prokuroria, mbrojtja e Shalës, si dhe trupi gjykues, intervistimi i dëshmitarit me kodin 1 ka zgjatur pesë ditë.
Në mbyllje të seancës së sotme gjyqësore, trupi gjykues ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Shalës, lidhur me rishqyrtimin e vendimit për deklaratat e mëparshme të të akuzuarit.
“Trupi gjykues i ka marrë në konsideratë parashtrimet e bëra nga palët, përfshirë përgjigjet e ZPS-së dhe kundërpërgjigjet e mbrojtjes. E rrëzojmë kërkesën, së pari trupi gjykues vëren se rishqyrtimi nuk duhet të përdoret si një mjet i dytë apelimi apo për të riparashtruar kërkesën përpara trupit gjykues, për të cilat është marrë vendim përpara. Pranueshmëria e deklaratave të të akuzuarit është parashtruar si kërkesë trupit gjykues i ka leje mbrojtjes që të apelojë vendimin e vetë. Mbrojtja e ka bërë këtë gjë dhe Gjykata e Apelit ka marrë vendim mbi këtë aspekt dhe e kanë lënë në fuqi vendimin e trupit gjykues, mbrojtja nuk mund të përdorë rregullën 79 të rregullores për të rihapur çështje, për të cilat, është marrë vendim… Trupi gjykues mendon se është e rëndësishme që të ruhet parimi i finalitetit, faktit që vendimi është i formës së prerë dhe konstaton që rishqyrtimi nuk është justifikuar për këtë arsye trupi gjykues rrëzon kërkesën e mbrojtjes ”, tha kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt Foglia.
Pjetër Shala, i cili ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021, këtë seancë e ka përcjellë vetëm përmes videolidhjes.
Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Sipas Speciales, “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.















