Gjykata Supreme e Kosovës ka anuluar vendimin për paraburgim ndaj tre të pandehurve në rastin e njohur si “1 milionëshi”, duke e kthyer çështjen në rivendosje në Gjykatën e Apelit.

Dogana gjen rreth 1 milion euro të padeklaruara në Merdare

Në vendimin e marrë më 30 mars, pas shqyrtimit të ankesave të paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurve E.A., A.K. dhe A.L., Supremja ka konstatuar se aktvendimi i shkallës së dytë përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Të pandehurit po hetohen për veprën penale të shpërlarjes së parave, në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

“Gjykata Supreme e Kosovës, në çështjen penale ndaj të pandehurve E.A., A.K. dhe A.L., për veprën penale shpërlarja e parave nga neni 302 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe nenin 56 paragrafi 1 pika 1.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, ka marrë vendim lidhur me ankesat e paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurve.

Duke vendosur mbi ankesat kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, PN.1.S.nr.68/2026 të datës 18 mars 2026, në seancën e kolegjit të mbajtur më 30 mars 2026, Gjykata Supreme ka vendosur të aprovojë ankesat e mbrojtësve të të pandehurve, të anulojë aktvendimin e Gjykatës së Apelit dhe çështjen ta kthejë në rivendosje, në të njëjtën gjykatë.
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e datës 9 mars 2026, kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve.
Ndërkaq, Gjykata e Apelit e Kosovës, më 18 mars 2026, kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë dhe kishte ndryshuar këtë vendim duke u caktuar të pandehurve masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Kundër këtij vendimi, mbrojtësit e të pandehurve paraqitën ankesa, duke kundërshtuar ligjshmërinë dhe bazueshmërinë e paraburgimit.
Gjykata Supreme vlerësoi se ankesat janë të bazuara dhe konstatoi se aktvendimi i Gjykatës së Apelit përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, shkalla e dytë nuk ka bërë ndërlidhjen e qartë ndërmjet provave dhe veprimeve të të pandehurve.
Gjykata Supreme thekson se ekzistimi i dyshimit të bazuar është kusht themelor për caktimin e paraburgimit, në përputhje edhe me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në njoftim.