Apeli cakton paraburgim për tre të dyshuarit që transportuan 1 milion euro në Merdar
Gjykata e Apelit ka vendosur masën e paraburgimit për tre të dyshuarit të kapur në shkurt duke transportuar rreth 1 milion euro të padeklaruara në pikëkalimin kufitar në Merdar. Vendimi u mor pasi gjykata vlerësoi se ekziston rreziku që ata të përsërisin veprën penale. Sipas aktvendimit, mënyra e kryerjes së veprës – përdorimi i një […]
Gjykata e Apelit ka vendosur masën e paraburgimit për tre të dyshuarit të kapur në shkurt duke transportuar rreth 1 milion euro të padeklaruara në pikëkalimin kufitar në Merdar.
Vendimi u mor pasi gjykata vlerësoi se ekziston rreziku që ata të përsërisin veprën penale.
Sipas aktvendimit, mënyra e kryerjes së veprës – përdorimi i një automjeti të modifikuar me bunker për fshehjen e parave, deklarimet e rrejshme dhe koordinimi mes të dyshuarve – tregon se veprimet ishin të qëllimshme dhe të planifikuara, duke rritur peshën e përgjegjësisë penale dhe rrezikun për veprime të ngjashme në të ardhmen.
Gjykata ka theksuar gjithashtu se lënia e tyre në liri mund të ndikojë në procesin penal.
“Mënyra e kryerjes së veprës – përdorimi i një automjeti të modifikuar me bunker për fshehje të parave, deklarimet e rrejshme të të pandehurve dhe koordinimi mes tyre tregon që veprimet ishin të qëllimshme dhe të planifikuara, gjë që rrit peshën e përgjegjësitë penale dhe tregon rrezikun e përsëritjes së veprës penale të natyrës së njëjtë ose edhe më të rëndë nëse ata lihen të lirë. Andaj, duke u bazuar në këto rrethana, vlerësohet se ekziston një rrezik real që të pandehurit, nëse lihen në liri, mund të kryejnë sërish veprime të njëjta ose të ngjashme, duke penguar procedurën penale dhe duke kërcënuar interesin publik, kurse caktimi i masës së paraburgimit është i domosdoshëm”, thuhet në vendim.
Ky është vendimi i dytë i Apelit për këtë rast.
Gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Leon Përlaska, kishte vendosur fillimisht të lirojë të dyshuarit, duke argumentuar se Prokuroria Speciale nuk kishte prezantuar prova të mjaftueshme për dyshimin e bazuar. Megjithatë, Apeli hodhi poshtë këtë vendim dhe aprovoi kërkesën e prokurorisë.
Sipas Prokurorisë Speciale, tre të dyshuarit dyshohen për veprën penale “shpëlarja e parave”. Ata u kapën duke transportuar paratë të fshehura në një hapësirë të modifikuar në dyshemenë e një minibusi. E.A. po drejtonte mjetin, ndërsa një prej të dyshuarve, A.K., ish-polic në Tiranë, u suspendua pas arrestimit.
Në minibus janë gjetur 18 pako me para në euro të ndryshme – nga 10 deri në 200 euro – secila e shënuar me numër në qese. Minibusi, që po udhëtonte nga Serbia drejt Kosovës, ishte pa udhëtarë, çka tërhoqi vëmendjen e doganierëve për kontroll të detajuar.















