Apeli e kthen në rivendosje masën e paraburgimit ndaj 5 policëve për vrasjen e Agon Zejnullahut
Gjykata e Apelit e Kosovës ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të pesë zyrtarëve policorë, përfshirë rreshterin Ibrahim Nela dhe zyrtarët Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, të cilët dyshohen për vrasje nga pakujdesia ndaj qytetarit Agon Zejnullahu në Lipjan. Me vendimin e saj, Gjykata e Apelit ka vendosur në rigjykim aktvendimin e […]
Gjykata e Apelit e Kosovës ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të pesë zyrtarëve policorë, përfshirë rreshterin Ibrahim Nela dhe zyrtarët Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, të cilët dyshohen për vrasje nga pakujdesia ndaj qytetarit Agon Zejnullahu në Lipjan.
Me vendimin e saj, Gjykata e Apelit ka vendosur në rigjykim aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan, që u kishte caktuar atyre masën e paraburgimit prej një muaji.
Në aktvendimin e parë, pesë zyrtarëve u ishte caktuar paraburgimi për shkak të dyshimit se kishin kryer veprën penale “vrasje nga pakujdesia” sipas nenit 175 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.
Megjithatë, Gjykata e Apelit ka konstatuar se aktvendimi i shkallës së parë përmban shkelje të procedurës penale dhe mungon analiza e detajuar e provave të besueshme dhe relevante që të vërtetojnë dyshimin e bazuar ndaj të pandehurve.
Prandaj, çështja është kthyer në rigjykim dhe gjykatës së shkallës së parë i është dhënë udhëzimi të rishqyrtojë provat dhe të evitojë shkeljet e konstatuara në aktvendimin fillestar.
Pesë zyrtarët policorë, dyshohet se e shkaktuan vdekjen e 27-vjeçarit gjatë arrestimit të tij.















