Apeli i Gjykatës së Posaçme ka vendosur këtë sot(e premte) masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dy herë në muaj, për ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha.

Engert Pëllumbi ishte gjyqtari, që shqyrtoi ankimin e SPAK, kundër vendimit të gjyqtares, Flojera Davidhi, e cila liroi Berishën nga arresti i shtëpisë në fund të nëntorit.

Sali Berisha është i pandehur për korrupsion në dosjen për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.

Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj tha se “Gjykata e Apelit e GJKKO vendosi zëvendësimin e masës”.

“Ne jemi të paqartë për këtë vendim. Prokurori kërkonte vetëm që të merrej masa ‘arrest shtëpie’. Kjo gjykatë nuk është më pak e kapur se Gjykata Kushtetuese. Vijmë prapë në krye të herës te kjo histori. Vendimi nuk është zbardhur. Ky vendim është zgjidhja më e keqe që i është dhënë ndonjëherë, se nuk ka zgjidhur asnjë problem”, tha ai.

Tutje ai theksoi se “Prokuroria në mënyrë arbitrare është nisur nga qëllime politike të ditës, duke zhdukur konceptin e ‘arrestit në shtëpi’. Ky është vendim i çuditshëm, por duhet ta lexojmë këtë vendim”.

“Urdhërohet i pandehuri S.B. të paraqitet përpara oficerit të policisë gjyqësore Adelajda Metaj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të hënë e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10:00”,-thuhet në komunikimin për mediat nga ana e Gjykatës.