Apeli në Hagë i ul dënimin Pjetër Shalës nga 18 në 13 vjet burgim
Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka vendosur të ndryshojë dënimin e mëparshëm ndaj Pjetër Shalës, duke anuluar dënimin prej 18 vjetësh dhe duke caktuar një dënim të ri prej 13 vjet burgim. Shala e ndoqi leximin e aktgjykimit përmes video-konferencës. Paneli i Gjykatës së Apelit ka rrëzuar […]
Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka vendosur të ndryshojë dënimin e mëparshëm ndaj Pjetër Shalës, duke anuluar dënimin prej 18 vjetësh dhe duke caktuar një dënim të ri prej 13 vjet burgim.
Shala e ndoqi leximin e aktgjykimit përmes video-konferencës.
Paneli i Gjykatës së Apelit ka rrëzuar shumicën e pikave të ankesës së Pjetër Shalës, duke përfshirë pretendimet për shkelje të të drejtave të tij gjatë procedimit të dëshmive dhe argumentin se gjykimi kishte nisur para se mbrojtja të ishte gati.
Megjithatë, Apeli ka konstatuar shkelje në aktgjykimin e Gjykatës Themelore, duke vendosur ndryshime në dënimin e mëparshëm.
Pjetër Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte dënuar në korrik të vitit 2024 me 18 vjet burgim, pasi u shpall fajtor për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme në Fabrikën e Metalit në Kukës, në pjesën veriore të Shqipërisë.
Sipas aktakuzës, Shala dhe të tjerë nga UÇK-ja morën pjesë në ndalimin dhe keqtrajtimin e personave të dyshuar për bashkëpunim me Serbinë, si dhe atyre që nuk kishin marrë pjesë aktive në luftime.
Viktimat, sipas akuzës, ishin subjekt i dhunës fizike dhe psikologjike, duke përfshirë kërcënimet me vdekje, poshtërimet dhe ngacmimet e ndryshme.
Gjykata e kishte obliguar Shalën të paguante edhe 208 mijë euro kompensim për tetë viktima, ndërsa e kishte shpallur të pafajshëm për veprën e trajtimit çnjerëzor.















