Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar ankesën e mbrojtjes dhe ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Edmond Lajçit, i akuzuar për vrasjen e rëndë të gruas së tij në Pejë.

Sipas njoftimit, Apeli ka konsideruar se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, është i drejtë dhe nuk përmban shkelje të procedurës penale.

Themelorja, me aktgjykimin PKR.nr.74/2024 të datës 3 shkurt 2025, e kishte shpallur fajtor E.L. për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe për mbajtje të paautorizuar të armës.

Ai ishte arrestuar më 16 prill 2024, ndërsa në vendimin e fundit thuhet se atij i është llogaritur koha e paraburgimit.

Po ashtu, arma e krimit, një pistoletë “Zoraki 917-T” me pesë fishekë, do të shkatërrohet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

Gjykata e Apelit thekson se të gjitha provat materiale dhe personale janë shqyrtuar me kujdes, përfshirë edhe pranimin e fajësisë nga vetë i akuzuari.

Sipas trupit gjykues, nuk ka rrethana që do ta përjashtonin përgjegjësinë penale të tij.

Në arsyetimin e vendimit, Apeli vlerëson se dënimi me burgim të përjetshëm është i merituar dhe synon të parandalojë raste të ngjashme në të ardhmen, të kontribuojë në rehabilitimin e të dënuarit, por edhe të shprehë qëndrimin e shoqërisë kundër veprave të tilla penale.