APK përmbyll “Javën e Agjencisë”, Haxhiu: Lufta kundër korrupsionit është betejë e përhershme

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka përmbyllur aktivitetet e “Javës së Agjencisë”, të organizuara nën moton “20 Vjet Transparencë dhe Integritet – Duke Rritur Besimin, Duke Parandaluar Korrupsionin”, ku u vlerësua roli i institucionit në forcimin e integritetit institucional dhe parandalimin e korrupsionit në Kosovë.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, tha se lufta kundër korrupsionit është një proces i vazhdueshëm dhe i domosdoshëm për ruajtjen e besimit të qytetarëve në institucionet e shtetit.

“Ndër këto parime, padyshim që janë integriteti, përgjegjësia por edhe barazia para ligjit. Njëzet vjet janë dëshmi e pjekurisë së një institucioni, por kur misioni është mbrojtja e interesit publik, çdo vit është një provë në vete. Sepse korrupsioni nuk pushon kurrë. Ai ndryshon formë, kërkon rrugë të reja dhe përpiqet të depërtojë aty ku institucionet dobësohen dhe ku vigjilenca zbehet. Prandaj, lufta kundër korrupsionit nuk është një betejë që fitohet një herë e përgjithmonë, është një përpjekje e vazhdueshme për ta mbrojtur besimin e qytetarëve tek shteti, pra tek Republika jonë”, tha Haxhiu.

Ajo theksoi se korrupsioni prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe minon besimin në institucionet publike.

“Në raporte dhe statistika, korrupsioni matet me shifra, por qytetarët e njohin ndryshe. Ata e njohin si tenderin që fitohet para se të hapet, si lejen që sigurohet me një telefonatë, si konkursin ku fituesi dihet para se të dorëzohet aplikimi i parë, si derën që hapet për dikë vetëm sepse e njeh dikë në një institucion. Korrupsioni nuk vjedh vetëm paranë publike. Ai vjedh mundësinë, ai e vjedh drejtësinë, e vjedh edhe besimin. Dhe kur qytetarët humbin besimin se ligji vlen njësoj për të gjithë, humbet shumë më tepër sesa një procedurë administrative. Pra, humbet ajo që për ne është shumë e rëndësishme, e që është besimi i qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës, në institucionet e shtetit të vet”, tha ajo.

Kurse, drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, tha se historia e institucionit është e lidhur ngushtë me zhvillimin e kulturës së integritetit institucional në Kosovë.

“Historia e agjencisë është më tepër se historia e një institucioni. Është histori e mënyrës se si Kosova ka ndërtuar hap pas hapi kulturën e integritetit institucional. Kur agjencia u themelua para 20 vitesh sfidat ishin shumë më të mëdha. Duhej të ndërtohej nga fillimi një institucion. Duhej të ndërtohej besimi në institucion, duhej të ndërtohej një kulturë e re institucionale. Sot pas dy dekadash e keni shumë të lehtë sepse besojmë që jemi krenarë për punën e agjencisë sepse është shndërruar në një institucion modern, një institucion profesional dhe një institucion të besuar”, tha Buleshkaj.

Ai tha se APK-ja ka kaluar nga një institucion administrativ në një mekanizëm aktiv për parandalimin e korrupsionit dhe forcimin e transparencës.

“Që nga dita kur mora përgjegjësinë për ta udhëhequr këtë institucion, kam besuar se agjencia nuk duhet të jetë vetëm një institucion që administron procedura. Agjencia duhet të jetë një institucion që krijon besimin e qytetarit në institucionet e Republikës së Kosovës. Jo një institucion që ndëshkon por që parandalon. Një institucion që udhëheq me shembull. Një institucion modern. Kemi përshpejtuar transformimin digjital. Kemi zgjeruar shërbimet elektronike. Kemi rritur transparencën. Kemi forcuar mekanizmat për deklarimin e pasurisë, për sinjalizimin, për konfliktin e interesit, për dhuratat zyrtare, për mbrojtjen e sinjalizuesve, për vlerësimin e rrezikut kundër korrupsion”, tha ai.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arian Gashi, tha se puna shumëvjeçare e APK-së në promovimin e transparencës dhe integritetit përbën kontribut të rëndësishëm për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe forcimin e besimit të qytetarëve.

“Kjo dekada punë në promovimin e transparencës, integritetit dhe parandalimin e korrupsionit përbëjnë një kontribut të çmuar për ndërtimin e institucioneve demokratike, llogaridhënëse dhe forcimin e besimit të qytetarëve. Lufta kundër korrupsionit kërkon një qasje gjithëpërfshirëse, ku institucionet e drejtësisë, organet e pavarura, ekzekutivi, shoqëria civile dhe qytetarët veprojnë të koordinuar dhe me përgjegjësi të përbashkët. Në këtë drejtim, bashkëpunimi ndërmjet Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit ka një rëndësi të veçantë. Ky bashkëpunim është ndërtuar mbi besimin institucional, shkëmbimin e informacionit, koordinimin e aktiviteteve dhe angazhimin e përbashkët për forcimin e integritetit dhe sundimin e ligjit. Këshilli Prokurorial mbetet i përkushtuar për të garantuar një sistem prokurorial profesional, të pavarur, transparent, llogaridhënës e me integritet institucional si themele mbi të cilat ndërtohet besimi i qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë”, tha ai.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, tha se përvjetori i APK-së është një mundësi për të riafirmuar angazhimin institucional në ndërtimin e institucioneve profesionale dhe të përgjegjshme ndaj qytetarëve.

“Ky përvjetor nuk është vetëm një moment për të reflektuar mbi rrugëtimin e deritanishëm por edhe një mundësi për të riafirmuar përkushtimin tonë të përbashkët për ndërtimin e institucioneve të besueshme, profesionale, transparente dhe të përgjegjshme ndaj qytetarëve të Republikës. Në këtë drejtim Ministria e Drejtësisë ka qenë dhe mbetet e angazhuar në hartimin dhe zbatimin e reformave që fuqizojnë mekanizmat për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, një prej prioriteteve kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, por edhe të Ministrisë së Drejtësisë”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Iniciativës Rajonale Kundër Korrupsionit (RAI), Albert Hani, e cilësoi 20-vjetorin e APK-së si dëshmi të zhvillimit institucional dhe përkushtimit të vazhdueshëm për mbrojtjen e interesit publik.

“20 vjet përfaqësojnë një arritje e të rëndësishme. Ato janë dëshmi e këmbënguljes, zhvillimit dhe përkushtimit të vazhdueshëm për mbrojtjen e interesit publik. Ndërtimi i institucioneve të forta kundër korrupsionit nuk është kurrë një detyrë e lehtë. Ai kërkon vizion, qëndrueshmëri, profesionalizëm dhe mbi të gjitha atë që veç u përmend edhe në prezantim besimin e qytetarëve. Duke e parë përkushtimin e agjencisë ndaj bashkëpunimit rajonal si një shtyllë themelore në luftën kundër korrupsionit, gatishmërinë e tyre për të mësuar nga përvojat në rajon por edhe në Evropë, si dhe vullnetin për të ndarë ide kreative dhe inovative me partnerët në rajon, veçanërisht do të kisha theksuar këtu digjitalizimin dhe instrumentet të cilët i ka krijuar agjencioni në luftën kundër korrupsionit, jam i bindur se kjo agjenci po ec në drejtimin e duhur dhe është në duar të sigurta”, tha ai.

Shija e redaktorit

Kontingjenti i dytë i FSK-së i bashkohet misionit paqeruajtës në...

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot(e diele) më 12 korrik kontingjentin e dytë...

BookFest rikthehet në Albi Mall: 10 ditë me zbritje speciale,...

Nga 10 deri më 19 korrik, Libraria Dukagjini sjell edicionin e katërt të BookFest, festivalit të librit që tashmë është shndërruar në një pikëtakim...

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Të fundit nga rubrika