Aplikimi i Kosovës në BE, qeveria nis me informimin e shteteve anëtare
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në intervistën e tij për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) ka thënë se Kosova do të dorëzojë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në muajin dhjetor të këtij viti. Në lidhje me këtë çështje, Klisman Kadiu, këshilltari i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se janë duke u bërë përgatitjet […]





Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në intervistën e tij për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) ka thënë se Kosova do të dorëzojë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në muajin dhjetor të këtij viti.
Në lidhje me këtë çështje, Klisman Kadiu, këshilltari i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se janë duke u bërë përgatitjet e duhura për aplikim.
Në një përgjigje për RTV Dukagjini, Kadiu ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke i ndërmarrë të gjithë hapat për informimin e shteteve anëtare të BE-së si dhe presidencën çeke për aplikimin e Kosovës në këtë organizatë.
“Komisioni Ekzekutiv ndërinstitucional për Anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, po merret me përgatitjet e këtij aplikimi dhe koordinimin përkatës. Siç është shprehur nga Kryeministri Kurti, e po ashtu riafirmuar në takimin e parë të këtij Komisioni në datën 23 nëntor, aplikimi do të dorëzohet para fundit të këtij viti”, ka thënë Kadiu
“Qeveria po ndërmerr të gjithë hapat e nevojshme në informimin e shteteve anëtare e po ashtu dhe Presidencës Çeke të BE-së, për aplikimin tonë për anëtarësim në BE. Kosova ka për qëllim strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe këtë e ka dëshmuar përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit tash e gjashtë vite, Agjendës për Reforma Evropiane, bashkëpunimin rajonal dhe pjesëmarrjen në programe të BE-së dhe formateve të ndryshme brenda saj”, ka vijuar ai.




















