Tre vjet në sirtar, është përshkrimi që mund t’i bëhet aplikimit të Kosovës për të marrë statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Më 15 Dhjetor të vitit 2022, në cilësinë e kryeministrit Albin Kurti, në Pragë, i kishte dorëzuar presidencës Çeke të Këshillit Evropian aplikimin e Kosovës.

Kjo një ditë pasi bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe atëkohë kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, kishin nënshkruar dokumentet.

Por, dosja e dorëzuar mbeti në sirtarët e Këshillit, përkundër që shtetet fqinje si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe veçmas Shqipëria bënë hapa konkret e të mëdhenj në rrugën e anëtarësimit.

Derisa Këshilli i Bashkimit Evropian nuk bëri asnjë lëvizje, Komisioni ndërkaq shprehet i gatshëm që ta shqyrtojë aplikimin e Kosovës.

“Kosova paraqiti një kërkesë për anëtarësim në Bashkimin Evropian në Dhjetor 2022. Komisioni është i gatshëm të përgatisë një opinion për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, nëse i kërkohet nga Këshilli”.-Komisioni Evropian

Teksa si pengesë përmendi pesë shtetet jo-njohëse brenda bllokut 27-anëtarësh, e po ashtu burokracinë e tepruar, ish-ambasadori dhe profesori Sylë Ukshini theksoi se BE-ja është dashur që së paku ta bëjë shqyrtimin fillestar.

“Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë” është kushti që, nëpërmjet Marrëveshjes së Brukselit dhe Shtojcës së Ohrit, iu shtua Kosovës në rrugën për anëtarësim në BE.

Lidhja e procesit të anëtarësimit me progresin në dialogun me Serbinë, në vlerësimin e profesorit Ukshini nuk do të duhej të ndodhte, pasi shteti fqinj ka interes që të mbajë peng avancimin e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit.

Për më tepër, pak muaj pas marrëveshjes bazë dhe shtojcës, në Qershor të 2023-tës, Bashkimi Evropian i vendosi masa ndëshkuese Kosovës.

Masat që ish-Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell i kishte quajtur sanksione, dhe pjesa më e madhe e të cilave mbesin ende në fuqi, BE-ja i kishte arsyetuar me tensionet e krijuara gjatë vendosjes në zyrat komunale të kryetarëve shqiptarë.

Kjo përkundër që zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë komunash në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok ishin shkaktuar nga dorëheqjet e Listës Serbe – dhe shqiptarët kishin fituar në këto komuna me shumicë serbe vetëm për shkak të bojkotit nga kjo parti.

Përkundër masave ndëshkuese dhe mos-shqyrtimit të aplikacionit, duke cilësuar si “potencialisht kandidate për anëtarësim”, Komisioni Evropian e përfshiu Kosovën në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor 2024-2027.

Për këtë plan, që ka për qëllim përshpejtimin e reformave dhe afrimin e shteteve të rajonit me BE-në, Komisioni ka ndarë 6 miliardë euro, prej të cilave 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro të tjera kredi të buta.

Në planifikimet fillestare për Kosovën ishin paraparë rreth 882 milionë euro – grante dhe kredi.

Por, si pasojë e dështimit për ratifikimin e marrëveshjeve nga ky plan, Kosova, sipas kryeministrit Albin Kurti, veçse ka humbur rreth 10% të kësaj shume, ndërkohë që shtetet fqinje veçse kanë përfituar deri në qindra miliona.

Si përfundim, tre-vjetori i aplikimit për të marrë statusin shtetit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian e gjen Kosovën me dosjen e pashqyrtuar nga institucionet e bllokut 27-anëtarësh, ende nën masa ndëshkuese dhe pa ratifikim të marrëveshjeve të Planit të Rritjes.