Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes, ku me anë të vendimit që ka marrë ka shtyrë shqyrtimin e radhës të paraburgimit të Kadri Veselit deri më 19 dhjetor.

Krahas kësaj, ai ka udhëzuar mbrojtjen që të dorëzojë shkresën, me anë të së cilës Veseli heq dorë nga rishikimi i paraburgimit, deri më 11 nëntor 2022. Njëherit, ka urdhëruar prokurorinë që nëse dëshiron ta bëjë këtë, të plotësojë parashtresat e saj për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të Veselit, jo më vonë se e premtja e 9 dhjetorit.

“UDHËZON Mbrojtjen, nëse dëshiron ta bëjë këtë, t’i përgjigjet parashtresave të ZPS-së dhe shtojcave të mundshme, jo më vonë se e mërkura, 14 dhjetor 2022”, thuhet në vendim.

Më 30 shtator, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza të cilat ngarkojnë të akuzuarit për kryerjen e krimeve të luftës dhe krime kundër njerëzimit.

Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.

Në këtë aktakuzë, thuhet se  përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara më lart, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kryer përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe/ose kanë ndihmuar dhe nxitur krimet e ngarkuara në këtë aktakuzë, transmeton Betimi për Drejtësi.

Sipas prokurorisë, krahas kësaj ose në alternativë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.