Analisti politik dhe ish-shefi i Kabinetit të ish-presidentit Thaçi, Ardian Arifaj, ka thënë se vizita e këshilltarit të lartë të Departamentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Derek Chollet, është një mundësi që Kosova duhet ta shfrytëzojë dhe se vetvetiu tregon një rëndësi të dialogut Kosovë-Serbi për SHBA-të.

I ftuar në “FIVE” të RTV Dukagjini, Arifaj ka thënë se të rëndësishme janë mesazhet që do të merren nga vizita e Chollet.

Vizitat “Gjithmonë kur janë prej zyrtarëve amerikanë, janë të rëndësishme, por kjo është veçanërisht e rëndësishme, duke pasur parasysh momentin edhe duke pasur parasysh zhvillimet e fundit qoftë në veri të Kosovës, qoftë në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe duke pasur parasysh atë që na pret në muajt në vijim…së paku drejt punimit të një marrëvesheje finale në mes dy vendeve”.

“Një vizitë e nivelit të tillë tregon seriozitetin e temës, por edhe rëndësinë që vetë SHBA-ja i kushton kësaj teme, gjasave për të arrihet një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë dhe sa e rëndësishme është për SHBA-në që të arrihet një paqe e përhershme, një marrëveshje e përhershme që do ta mbyllë njëherë e përgjithmonë konfliktin në mes Kosovës dhe Serbisë, edhe të shtrihet një paqe e përhershme në rajonin e Evropës Juglindore. Prandaj, është e rëndësishme kjo vizitë, mesazhet që do të merren nesër”, ka deklaruar Arifaj.

Megjithatë, një dallim duket qartazi te vizitat e zyrtarëve amerikanë dhe atyre evropianë. Sipas Arifaj, amerikanët thonë qartazi deklaratat e tyre kur vijmë te dialogu Kosovë-Serbi.

“Nuk është vetëm përvoja ime, por e gjithë Kosovës që tregon që në historinë e vonë…gjithmonë kanë qenë amerikanët ata që kanë shtyrë gjërat përpara dhe angazhimi i tyre ka qenë vendimtar për t’i shtyrë gjërat në drejtim të duhur…Diplomatët evropianë janë më të kufizuar në të shprehurit e tyre, nuk do të thotë se nuk veprojnë e angazhohen, por diplomatët amerikanë, nuk kanë hezitur asnjëherë ta thonë qartë e në fund të procesit është njohja e Kosovës nga Serbia”, ka deklaruar ai.

Se vizita e Chollet ka një rëndësi të veçantë, pajtohet edhe njohësi i sigurisë, Avni Islami.

“Ardhja e një përfaqësuesi special në fushën e sigurisë në Kosovë, tregon për rëndësinë dhe seriozitetin se deri ku ka arritur prcoesi dhe se gjendja e sigurisë në Kosovë gjatë javëve të fundit, ishte jostabile me tendenca të destabilizimit të veriut të Kosovës dhe më gjerë”, ka deklaruar ai.

Ashtu siç kishte paralajmëruar, Chollet do ta realizojë këtë vizitë të mërkurën e 11 janarit.