Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, ka vlerësuar se pas vendimit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Kosova rrezikon të përballet me izolim më të madh politik e diplomatik, duke paralajmëruar pasoja edhe në zhvillimin e vendit dhe perspektivën e të rinjve.
Arifi thotë se Kosova nuk rrezikon të zhduket fizikisht, por sipas tij, izolimi dhe mungesa e zhvillimit mund të ndikojnë drejtpërdrejt në perspektivën e qytetarëve, veçanërisht të profesionistëve të rinj.
“Për Kosovën nuk ka më çka të pritet. Ne edhe ashtu kemi qenë të izoluar, tash do të izolohemi edhe më shumë. Pra nuk është që Kosova do të zhduket, por esenca është që nuk do të zhvillohet. E kur nuk zhvillohesh është sikur të jesh, si me thënë, i zhdukur. Kuptimi i asaj që kur njerëzit e rinj nuk shohin perspektivë në një vend i cili nuk mund të zhvillohet, perspektiva humb, humb vullneti, humb dëshira për të punuar, dhe njerëzit e rinj me siguri do të largohen me masë të madhe nga Kosova, po flas për profesionistët”, tha ai.
“Kosova politikisht izolohet. Fizikisht do të qëndrojë këtu se nuk mund ta zhdukin, por nëse politikisht izolohet dhe diplomatikisht dëmtohet, do të jetë shumë e vështirë të flasim për integrime evropiane. Do të jetë për mua e pamundur të flasim për një Kosovë multietnike. Kjo përfundoi atë ditë. Pra nuk ka Kosovë multietnike nëse nuk ka kthim në pikën zero. Pra, një rigjykim (për ish-krerët në Hagë, që janë dënuar) në Britani pra me gjykatës shumë më të pavarur, pra ne nuk jemi kundër drejtësisë. Por të njëjtën akuzë ta zhvendosim në Londër dhe ta shohim se si do të kalojë i gjithë procesi. Pra, duhet të kemi fantazi politiko-juridike që të kërkojmë po drejtësi, por të zhvendoset për shkak se ky proces është i komprometuar totalisht”, tha ai për Ekonomia Online.
Arifi ka thënë se edhe në rast se njohjet ndërkombëtare të Kosovës nuk tërhiqen, sipas tij, zbehja e bashkëpunimit bilateral mund të paraqesë një formë izolimi diplomatik.
“Unë prandaj e thashë, do të mbetemi të izoluar. Dhe nëse nuk e humbim njohjen, njohja në vetvete nuk do të thotë asgjë. Ne kemi njohje me shumë shtete por nuk kemi bashkëpunim bilateral. Pra, po e marrim shembull Çekia, mund të mos ta tërheqë njohjen por po themi, ta zbehë totalisht bashkëpunimin me ne në aspektin bilateral dhe abstenon aty ku duhet të na japë votën për ne. Pra, vetëm abstenon. Pra kjo është e mjaftueshme. Ky është izolim diplomatik i rreptë ndaj Republikës së Kosovës sepse do të shtohen dyshimet. Mandej duke parë që lëvizjet e djathta në Evropë nuk janë bash pro këtij projekti të Kosovës, sepse një pjesë e madhe evropiane, për fat të keq, e shohin Kosovën si projekt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe duke pasur edhe fërkimet mes tyre, dy partnerëve, ne mund të jemi pala më e dëmtuar në këtë rast”, tha ai.
Profesori ka kërkuar reagim institucional pas vendimit të Hagës, duke thënë se në këtë situatë nuk duhet të ketë ndarje mes partive politike.
“Nëse ka racionalitet, nëse ka, po themi njerëzillëk, pra nëse janë njerëz normalë, pa përjashtime politike, këtu s’ka më parti politike. Për mua kjo është çështja më e rëndësishme kombëtare që nga shpallja e pavarësisë dhe fitorja në GJND. Nëse sot nuk reagojmë, sot Kuvendi i Kosovës duhet t’i bëjë, të shpallë një rezolutë politike çka është e papranueshme për Kosovën. Qeveria të dërgojë menjëherë ligje që janë të nevojshme për një mobilizim të fuqishëm financiar. Kontraktim të kompanive të huaja, të cilat sidomos kompanisë që ka qenë edhe në rastin e Gotovinës e kontraktuar nga shteti kroat. Pra, kemi mundësi me lëviz shumë, sa nuk është bërë vonë, por nëse vonohemi edhe këtë javë, nuk lëvizim, dështimi, probabiliteti me dështu në apel është thuajse 100%”, tha Arifi.
