Dritëro Arifi, profesor i shkencave politike, ka thënë se personat të cilët kanë gjuajtur me gaz lotësjellës, nuk do duhej të ishin në krye të Kuvendit të Kosovës.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se sipas parimeve, një person i tillë, nuk do duhej të ishte në pozitën e kryetarit të Kuvendit.

“Të gjithë personat të cilët kanë gjuajtur gaz lotësjellës nuk do duhej të ishin kryetar të Parlamentit”- tha Arifi. 

Ndërkaq, përfaqësuesi i KDI, Eugen Cakolli tha se nuk është me rëndësi se kush nga deputetët mund të zgjedhet kryeparlamentar, por është me rëndësi që të zgjedhet dikush për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë së re. 

“Për neve bënë secili prej deputetëve, me rëndësi është me u zgjedhë kryetari i kuvendit e bile nëse opozita po pretendon që po dojnë me e shpërfaqë paaftësinë, atëherë pse të mos votojnë për me e zgjedhë kryetarin e Kuvendit që me fillu me rrjedhë afati për zgjedhjen e Qeverisë”.

Në anën tjetër, deputetja e zgjedhur nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, ka thënë se ka vendosur që të rri në opozitë, duke deklaruar se vota e saj nuk është “votë vendimtare” për pozitën e kryekuvendarit dhe formimin e Qeverisë.

Në një lidhje direkte përmes telefonit në emisionin “Kallxo Përnime”, Balje tha se kryesia e partisë ka vendosur për opozitë dhe nuk e beson që do të ketë ndonjë ndryshim.

“Tash edhe me qenë unë në opozitë nuk ka me ndryshu asgjë. Unë jam e sigurt që Vetëvendosje ka me gjet zgjidhje. Ne sot kemi vendosë me shku në opozitë. Ne sot kemi vendosë dhe nuk besoj që ka me ndodhë ndonjë ndryshim” – deklaroi Duda Balje.

Seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës është ndërprerë përkohësisht, pasi votimi për kryetar Kuvendi nuk dha rezultat as për herë të dytë.

E propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për të marrë drejtimin e legjislativit.

Në votimin e parë, 57 deputetë votuan për, 20 kundër, ndërsa 3 deputetë abstenuan.

Kurse në votimin e dytë, Haxhiu mori 57 vota për, 19 kundër dhe 3 abstenime.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, shpalli  ndërprerjen e seancës  dhe njoftoi se do të rifillojë për 48 orë, të hënën, më 21.04.2025, në orën 15:00.