Armenia dhe Azerbajxhani nënshkruajnë marrëveshje për paqe në Shtëpinë e Bardhë

Udhëheqësit e Armenisë dhe Azerbajxhanit, në praninë e presidentit amerikan Donald Trump, nënshkruan të premten në Shtëpinë e Bardhë një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit disadekadësh.

Armenia dhe Azerbajxhani nënshkruan në Uashington marrëveshje me SHBA-në për rihapjen e korridoreve kryesore të transportit, në kuadër të një plani që, sipas Shtëpisë së Bardhë, synon edhe zvogëlimin e ndikimit rus në rajon.

Marrëveshja përfshin krijimin e “Rrugës Trump për Paqe dhe Mirëqenie Ndërkombëtare”.

Trump tha të premten në Shtëpinë e Bardhë se emërimi i rrugës në emrin e tij është “një nder i madh për mua”, por shtoi se “nuk e kam kërkuar këtë”.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha para ngjarjes se ishin armenët ata që propozuan emrin e korridorit.

Në samitin e paqes të premten, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, tha se korridori transit do të “krijojë mundësi lidhjeje për shumë vende” dhe se po nis “rruga drejt partneritetit strategjik”.

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, e quajti marrëveshjen “moment të rëndësishëm”, duke shtuar: “Po vendosim themelet për të shkruar një histori më të mirë se ajo që patëm në të kaluarën”.

Të dy liderët thanë se marrëveshja u bë e mundur falë Trumpit dhe ekipit të tij, duke iu bashkuan listës në rritje të udhëheqësve dhe zyrtarëve të huaj që mendojnë se presidenti amerikan meriton Çmimin Nobel për Paqe.

“Presidenti Trump e bëri një mrekulli brenda gjashtë muajve”, tha Aliyev.

Trump tha se konflikti mes dy vendeve zgjati 35 vjet, por tani “janë miq dhe do të mbeten të tillë për një kohë të gjatë”.

Korridori do ta lidhë Azerbajxhanin me enklavën e Nakhçivanit, të ndarë nga një brez 32 kilometra i territorit armen – kërkesë që më herët kishte bllokuar bisedimet e paqes.

Ai shtoi se do të donte ta vizitonte një ditë: “Do të duhet të shkojmë atje”./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Dukagjini Resort dhe The Northern prezantohen në panairin më të...

Projekti Dukagjini Resort së bashku me The Northern do të marrin pjesë në MIPIM Cannes, panairin më të madh ndërkombëtar patundshmërisë në botë. Projekti do...

Të fundit nga rubrika