Një i burgosur është arratisur nga Qendra Korrektuese e Smrekonicës.

Për këtë arratisje ka njoftuar Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK).

ShKK-ja ka bërë të ditur se tashmë është njoftuar edhe Policia e Kosovës për këtë arratisje.

I arratisuri siç mëson Dukagjini është Faton Hajrizi, i dënuar për vrasjen e një ushtari rus.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se i dënuari F. H. është larguar nga Qendra Korrektuese e Smrekonicës, institucion i tipit të hapur. Ai është gjithashtu përfitues i vikendit. Herën e fundit që ka shfrytëzuar vikendin ishte nga data 01 deri më 03 të këtij muaji. Për largimin e tij nga institucioni është përgatitur letërrreshtimi dhe është njoftuar edhe policia”, thuhet në njoftimin e ShKK-së.

Lidhur me rastin, deri në përfundim të hetimeve, është suspenduar oficeri i dhomës së vëzhgimit, F.R dhe oficeri i krahut, N.A.

Faton Hajrizi në intervistën në emisionin “N’burg me Nitën” në RTV Dukagjini kishte rrëfyer se si kishte ndodhur vrasja e ushtarit rus.

Vlen të theksohet se Hajrizi ka një histori të gjatë të arratisjeve.

Për gjatë 22 viteve burgim, u arratis 8 herë ndërsa tashmë kjo është hera e nëntë që ai arratiset nga burgu.