Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion në Shqipëri ka lëshuar masë sigurie “arrest shtëpie” për drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni. Ajo është pezulluar nga detyra.
Hyseni, që në të kaluarën ka qenë edhe kryespiune e Kosovës, sipas mediave në Shqipëri, dyshohet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje sekreti shtetëror.
Autoritetet janë duke kontrolluar edhe banesën e saj.
Ajo pati marrë zyrtarisht detyrën në prill të vitit 2023, duke u bërë e para grua që udhëheq shërbimin inteligjent shqiptar. Përpara këtij emërimi, ka pasur karrierë të gjatë në strukturat e sigurisë kombëtare në Kosovë.
Hyseni ka qenë zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë nga shkurti i vitit 2019. Ndërkaq, në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës është vënë që nga dhjetori i vitit 2020 kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri në prillin e vitit 2021, kur në detyrën e drejtorit u emërua Petrit Ajet. Ajo ishte shkarkuar nga posti i zëvendësdrejtoreshës në qershorin e vitit 2021 nga presidentja e atëhershme Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, të cilët asnjëherë nuk kanë dhanë sqarime për arsyet e këtij vendimi.
Vetëm dy muaj pasi ishte shkarkuar në Kosovë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e pati emëruar këshilltare për çështje të sigurisë. Aty qëndroi për dy vjet, deri kur në mars të vitit 2023, Rama e propozoi si drejtuese të SHISH. Ajo u dekretua zyrtarisht nga presidenti Bajram Begaj më 3 prill 2023 dhe u prezantua në krye të institucionit të nesërmen.
Kontroll është zhvilluar këtë të martë edhe në banesën e Ilir Prodes, ish-drejtor i përgjithshëm i Policisë në Shqipëri.