Policia e Kosovës në raportin e saj 24 orësh ka njoftuar për disa raste të ndara të dhunës dhe mosmarrëveshjeve familjare të raportuara gjatë datave 9 dhe 10 maj 2025 në qytete të ndryshme të vendit.

Në Graqanicë, më 10 maj rreth orës 22:00, një grua ka raportuar për mosmarrëveshje me bashkëshortin e saj. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur vetëm ankuesen, ndërsa i dyshuari ishte larguar nga vendi. Viktima është intervistuar nga policia dhe rasti po hetohet në koordinim me prokurorin e shtetit.

Ndërkohë, në Pejë, më 9 maj rreth orës 12:30, është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj partneres së tij gjatë kohës sa ishin në lidhje. Viktima nuk e kishte raportuar më herët rastin. Pas intervistimit, prokurori ka vendosur që i dyshuari të hetohet në procedurë të rregullt.

Një tjetër arrestim është bërë në Banjë të Zubin Potokut, ku më 10 maj është ndaluar një person i dyshuar për një rast të mëhershëm të raportuar më 9 maj. Pas intervistimit, ai është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Policia e Kosovës ka theksuar se të gjitha rastet janë në proces hetimi dhe do të trajtohen konform legjislacionit në fuqi.