Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë dhënë detaje të reja pas arrestimit të Fehim Salit, i dyshuar për veprën penale “Spiunazh”.
I dyshuari është arrestuar sot në pikën kufitare në Merdare dhe, me aktvendim të Prokurorisë Speciale, është ndaluar për 48 orë.
Pas arrestimit, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë kryer kontroll në vendbanimin e të dyshuarit në Dragash.
Gjatë bastisjes, Policia ka sekuestruar 39 mijë e 500 euro para të gatshme, 500 dinarë, katër telefona celularë dhe dokumente të ndryshme që konsiderohen relevante për rastin.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se, brenda afatit ligjor, do të kërkojë nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Policia dhe Prokuroria kanë deklaruar se, së bashku me institucionet e tjera të sigurisë, do të vazhdojnë ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore lidhur me rastin.