Avokati Arbër Jashari ka reaguar pas arrestimit të një zyrtari të lartë të Policisë së Kosovës, i cili dyshohet për bashkëpunim me strukturat e shtetit serb dhe për rrjedhje të informatave të ndjeshme.

Përmes një postimi në Facebook, Jashari vlerëson se ky është një hap i rëndësishëm në forcimin e sigurisë kombëtare.

“Kosova po bëhet çdo ditë e më shumë një vend më i sigurt, falë punës profesionale dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm të strukturave të sigurisë, me AKI-në në krye”, shkruan ai.

Jashari tutje thekson se arrestimi i sotëm është një goditje e rëndë për të gjithë ata që veprojnë kundër interesave të shtetit të Kosovës dhe rikujton dëmet që, sipas tij, kanë shkaktuar agjentët e lidhur me Serbinë që nga përfundimi i luftës.

“Veprimtaria e agjentëve dhe spiunëve të lidhur me Serbinë që nga paslufta e ka dëmtuar rëndë shtetin duke na sjellë procese të montuara gjyqësore kundër pjesëtarëve të UÇK-së, njollosje të imazhit ndërkombëtar dhe rrezik të përhershëm për destabilizim të brendshëm”, ka shkruar Jashari.

Në fund të reagimit të tij, avokati shprehet optimist se kjo periudhë po i afrohet fundit.

“E mira është se kjo epokë po i vjen fundi”, ka shkruar ai.