Policia e Kosovë ka arritur t’i arrestojë 14 persona, të cilët dyshohen për tri vepra të ndryshme penale.

Rasti i parë, sipas Policisë së Kosovës, ka të bëjë me pjesëmarrje apo organizim të grupit kriminal të organizuar.

Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka arritur që ta arrestojë personin e dyshuar mashkull kosovar me iniciale (M.M.), për kryerje të veprës penale të lartcekur. Me vendim të prokurorit kompetent i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Rasti i dytë, sipas njoftimit të policisë, ka të bëjë me kontrabandim me migrantë, ku janë arrestuar 12 persona.

Për të njëjtin rast, në korrik të këtij viti gjatë një aksioni të policisë, ishin arrestuar 17 persona të dyshuar dhe ishin identifikuar 11 viktima të kontrabandimit me migrantë.

“Sot, me 20 tetor ka realizuar operacionin e radhës. Bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente Sektori i Hetimeve nga Departamenti për Kufi ka realizuar bastisje në pesë lokacione me ç’rast ka arrestuar 12 persona të dyshuar, prej tyre gjashtë shtetas kosovarë dhe gjashtë shtetas të huaj, si dhe janë identifikuar 29 viktima të kontrabandimit me migrantë”, thuhet në njoftim.

Gjatë këtij operacioni në cilësi të provave materiale janë sekuestruar, një veturë, tri armë të gjata dhe tri armë të shkurtra.

Kurse rasti i tretë ka të bëjë me prodhimin apo përpunimin e paautorizuar të narkotikëve.

“Në konsultim me GjPP është marrë urdhër verbal për bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit mashkull kosovar, me ç’rast gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar dëshmitë në vijim: Një pistoletë me karikator, gjashtë fishekë, sasi e dyshuar e marihuanës me peshë rreth 708 gramë, sasi e dyshuar e marihuanës me peshë rreth 902 gram, sasi e dyshuar e marihuanës me peshë rreth 163 gramë (gjithsej 1.8 kg substancë narkotike e llojit marihuanë), vetura e përfshirë në rast, një telefon mobil si dhe 6 bimë të mbjella të dyshuara të llojit Kanabis”, thuhet në njoftim.

Ne lidhje me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ndaj të dyshuarit ka lëshuar vendimin për ndalim policor prej 48 orësh.