Prokuroria Themelore në Prizren në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Njësia për Hetimin e Krimeve Mjedisore, ka zhvilluar një aksion nga i cili janë arrestuar 17 persona të dyshuar për ndotje dhe degradim të mjedisit .

Sipas njoftimit, aksioni është zhvilluar sot në 14 lokacione të ndryshme në regjionin e Prizrenit, pas një hetimi disa mujor, ku janë zbatuar masa të veçanta hetimore.

Gjatë ndërhyrjes, janë sekuestruar gjithsej 38 mjete të dyshuara për kryerjen e veprave penale, përfshirë: 9 kamionë, 14 eskavatorë dhe 15 makineri për separim të rërës dhe zhavorrit. Vlera e përgjithshme e pajisjeve të sekuestruara arrin në rreth 2 milionë euro.

Prokuroria bën të ditur se të arrestuarit dyshohet se nga muaji shkurt e deri më 4 qershor 2025 kanë shfrytëzuar në mënyrë të kundërligjshme burimet natyrore duke dëmtuar rëndë mjedisin dhe rrjedhën e lumit.

Ata akuzohen për veprat penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, pasi nga punimet e rënda janë krijuar gropa të rrezikshme në hapësira ku lëvizin njerëzit.

Gjatë aksionit, njëri nga të dyshuarit ka penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës, ndërsa një tjetër është kapur me armë pa leje.

Për këtë, përveç veprave mjedisore, dy persona përballen edhe me akuzat për “Pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” dhe “Mbajtje të paautorizuar të armëve”.

Të gjithë të arrestuarit ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa Prokuroria ka paralajmëruar se do të kërkojë masën për sigurimin e prezencës së tyre në procedurë.

Prokuroria e Prizrenit ka theksuar përkushtimin për të luftuar rastet e tilla që dëmtojnë ambientin dhe ka ftuar qytetarët të bashkëpunojnë në mbrojtjen e natyrës.