Policia e Kosovës ka njoftuar se të paktën dy persona janë arrestuar të mërkurën nën dyshimin se përmes falsifikimit të dokumenteve kanë arritur t’i tjetërsojnë 18 prona në Prizren, me sipërfaqe rreth 3.60 hektarë dhe vlerë afro një milion euro.
Sipas Policisë, të dyshuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar letërnjoftimin serb të një personi që kishte vdekur disa dekada më parë dhe duke paraqitur në mënyrë fiktive një person tjetër kanë realizuar procedurën e ndërmjetësimit për bartjen e pronave.
Përmes kësaj marrëveshjeje ndërmjetësimi, ata dyshohet se kanë paraqitur kërkesë në Drejtorinë e Gjeodezisë dhe Kadastrit në Komunën e Prizrenit dhe kanë arritur t’i bartin pronat në mënyrë të kundërligjshme.
“Lidhur me rastin janë kryer kontrolle me qëllim të sigurimit të provave dhe dëshmive, ku janë shoqëruar dy të dyshuar, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njëri – tjetrin, kishin arritur të falsifikojnë dokument-letërnjoftimin e Serbisë të viktimës, e cila kishte vdekur disa dekada më herët dhe duke e prezantuar në mënyrë fiktive person tjetër kanë bërë marrëveshjen e procedurës se ndërmjetshmit tek ndërmjetësuesi, dhe përmes kësaj marrëveshje për ndërmjetësim me kërkesë në Drejtorinë e Gjeodezisë dhe Kadastrit në Komunën e Prizrenit kanë arritur t’i tjetërsojnë 18 prona/parcela prej rreth tre 3.60ha që gjenden në një fshat në Prizren me vlerë rreth një milion euro”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Më tej bëhet e ditur se gjatë kontrollit janë sekuestruar një laptop, dy telefona, 14 mijë e 600 euro si dhe dokumentacion të ndryshëm që mund të përdoret si provë në procedurat e mëtejme hetimore.
Të dyshuarit po hetohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikim i dokumenteve”, “Legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe “Bashkëkryerje”.
Me urdhër të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, një është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa një person tjetër ndodhet në kërkim policor.