Dy persona janë arrestuar në dy raste të ndara nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për kultivim të bimëve narkotike të llojit marihuanë.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka bërë të ditur për portalin Dukagjini se rastet kanë ndodhur në Pejë dhe në Komunën e Istogut, ku janë identifikuar rreth 20 bimë narkotike të kultivuara.
“Në dy raste të ndara, një në Pejë dhe një në Komunën e Istogut, janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe janë ndaluar me urdhër të prokurorit të shtetit dy persona për kultivim të bimëve narkotike të dyshuara të llojit marihuanë”, ka deklaruar Nikçi.
Sipas tij, në të dyja rastet janë gjetur afërsisht 20 bimë narkotike të kultivuara.
“Janë diku rreth 20 bimë narkotike të kultivuara në dy rastet”, tha Nikçi.
Ai ka bërë të ditur se lidhur me këto raste do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga Prokuroria dhe Policia e Kosovës, përkatësisht Njësiti për Luftimin e Narkotikëve në kuadër të Policisë së Kosovës në Pejë.
“Lidhur me këto dy raste do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës, përkatësisht Njësiti për Luftimin e Narkotikëve i Policisë së Kosovës në Pejë”, u shpreh ai.
Nikçi shtoi se Prokuroria, brenda afateve ligjore, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për sigurimin e prezencës së të dyshuarve në procedurën penale.