Policia ka arrestuar dy persona në Prishtinë, nën dyshimin se posedonin dhe shpërndanin substanca narkotike, konkretisht heroinë.

Gjatë një operacioni, janë sekuestruar mbi 645 gramë heroinë, me vlerë rreth 12 mijë euro.

Sipas raporti 24-orësh të Policisë, gjatë kontrollit tek njëri prej të dyshuarve është gjetur dhe konfiskuar një sasi e vogël heroinë, rreth 0.2 gramë, si dhe një telefon, çelësa të banesës dhe para në vlera të ndryshme, gjithsej rreth 825 euro.

Tek i dyshuari i dytë janë sekuestruar dy qese me heroinë, me peshë totale 2.1 gramë.

Në bashkëpunim me prokurorin, është kryer bastisja në banesën e njërës prej palëve, ku janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë qese najloni me heroinë, me peshë totale rreth 643.7 gramë, si dhe dy peshore digjitale të dyshuara për përdorim në shpërndarje.

Të dyshuarit janë intervistuar dhe, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje.