Policia e Kosovës ka realizuar një aksion të suksesshëm mbrëmë në Prishtinë, ku si rezultat janë arrestuar dy persona dhe janë sekuestruar katër armë zjarri.

Operacioni është zhvilluar në rrugën “Astrit Rrushi”, nga zyrtarë të Stacionit Jugu dhe njësiti Anti-Drogë që operon në kuadër të Hetimeve Rajonale në Prishtinë. Ky aksion vjen si pjesë e veprimeve të vazhdueshme për parandalimin e veprave penale dhe forcimin e sigurisë publike në kryeqytet.

Të arrestuarit janë:

  • D.K. (29 vjeç), i cili është ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit,
  • F.B. (24 vjeç), i cili është dërguar menjëherë në vuajtje të dënimit, pasi ndaj tij kishte një urdhër aktiv arresti nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Prokuroria ka iniciuar rast ndaj tyre për veprën penale “mbajtje pa leje e armës”.

Policia ka konfirmuar se aksionet e tilla do të vazhdojnë në gjithë rajonin e Prishtinës, me synimin për të parandaluar kriminalitetin dhe për të garantuar një ambient të sigurt për qytetarët.