Policia e Kosovës, veçanërisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Ferizaj, pas një hetimi që ka zgjatur disa muaj, kanë arrestuar dy persona të dyshuar për “keqpërdorimin e pozitës zyrtare” dhe “mashtrim në prokurim publik”.

I dyshuari S.B., i lindur në vitin 1963 dhe me pozitë Arkitekt në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Mjedisit të Komunës së Ferizajt, është identifikuar si Menaxher i një projekti specifik.

Pas hetimeve të kryera, siç ka njoftuar Policia e Kosovës është zbuluar se ai ka abuzuar me detyrën e tij zyrtare duke nënshkruar situacione dhe një aneks kontratë pa kryer verifikimin e punëve të bëra në teren.

Ky veprim i tij ka lejuar përfitimin material të dyshuarit tjetër, H.H., i lindur në vitin 1963.

Në këtë ngjarje, i dyshuari S.B. dyshohet se nuk ka zbatuar detyrimet dhe përgjegjësitë e tij si Menaxher i Projektit, duke kryer kështu veprën penale të quajtur “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërkaq, i dyshuari H.H., i cili është përfituesi i tenderit për projektin në fjalë, dyshohet se, në bashkëpunim me menaxherin e projektit, ka ofruar fatura dhe situacione për projektin që nuk janë kryer në teren.

Ky veprim i tij ka shkaktuar dëme financiare buxhetit të Komunës së Ferizajt dhe Buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 67.659.41 euro.

I dyshuari H.H. dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi me prokurim publik”.

Pas arrestimit të tyre, të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe, me urdhër të prokurorit kujdestar, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.