Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona, të cilët kanë shkaktuar plagë me mjete të mprehtë në rrugën “Afrim Loxha” në Prishtinë.

Siç thuhet në njoftim, Policia e Kosovës të dyshuarit i ka arrestuar pas 6 ditësh, pasi ngjarja kishte ndodhur më datën 4 janar të vitit 2023, rreth orë 14:20.

“Menjëherë pas raportimit, policia ka filluar trajtimin e informacioneve si dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme operativo-hetimore, në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që e kanë karakterizuar rastin”, kanë njoftuar Policia e Kosovës.

“Ndërkohë që policia ka punuar në ndriçimin e rrethanave të rastit, ka identifikuar të dyshuarit, A. SH, mashkull 17 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, R. SH, mashkull 16 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovë, të cilët, sot më datë 10.01.2023, janë intervistuar nga ana e policisë dhe me urdhër të prokurorit të shtetit, të njëjtit janë ndaluar për 24 orë, për t’u proceduar më tej nën dyshimet për veprën ‘Vrasje në tentativë'”, kanë përfunduar në komunikatën e tyre.