Dy zyrtarë bankarë janë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe përfshirje në një skemë të dyshuar financiare, ku një qytetare ishte ngarkuar me kredi prej 25 mijë eurosh pa dijeninë e saj.
Sipas njoftimit të policisë, hetimet kanë nxjerrë dyshime se i dyshuari i parë, në cilësinë e menaxherit bankar, ka tejkaluar autorizimet ligjore duke urdhëruar lirimin e mjeteve në vlerë prej 24 mijë eurosh.
Sipas policisë, ai kishte urdhëruar në mënyrë të kundërligjshme zyrtarin tjetër bankar, i cili punonte si analist, që të kryente transferimin e shumës në llogari të dy bizneseve të ndryshme.
“Policia e Kosovës me njësitë e saj nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka kryer veprime hetimore me autorizim të Prokurorit të Shtetit, mbi dyshimet se i dyshuari nr.1 m/k në cilësinë e menaxherit bankar ka tejkaluar autorizimet ligjore, duke liruar mjetet në vlerë prej njëzet e katër mijë (24.000,00) euro, ashtu që ka urdhëruar kundërligjshëm të dyshuarin nr.2 m/k që të kryej transaksionin e të hollave në llogari të dy bizneseve”, thuhet në njoftim.
Sipas autoriteteve, nga 12 mijë euro janë transferuar në secilin prej dy bizneseve.
Policia ka bërë të ditur se, pas këtyre veprimeve, kredia në emër të të dëmtuarës ishte futur në procedurë përmbarimore dhe më pas banka kishte paraqitur kallëzim penal ndaj saj në prokurori, ndonëse sipas hetimeve fillestare nuk ishte ofruar asnjë provë që dëshmonte se ajo kishte marrë kredinë.
“I dyshuari i dytë analist bankarë, ka ekzekutuar urdhrin verbal të menaxherit të kësaj banke duke transferuar njëzet e katër mijë (24.000,00) euro nga llogaria e të dëmtuarës (të cilën paraprakisht e kishin ngarkuar me kredi prej 25 mijë euro pa dijeninë e saj), nga dymbëdhjetë mijë (12.000,00) euro për secilin biznes.
Pas veprimeve të kundërligjshme të të dyshuarve, kredia në emër të dëmtuarës është ngarkuar me procedurë përmbarimore, e më pas është kallëzuar penalisht në Prokurori nga banka, edhe pse ky subjekt nuk ka ofruar asnjë provë që dëshmon se në emër të saj është realizuar kredia prej njëzet e pesë mijë (25.000,00) euro.
Të dyshuarit e lartë cekur, me veprimet e tyre të dëmtuarës i kanë shkaktuar dëm duke e ngarkuar me kredi fiktive, përfshirë edhe përmbarimin pa dijeninë e saj. Të njëjtit janë intervistuar në prani të mbrojtësve, ndërsa me Aktvendim të Prokurorit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, përderisa hetimet për rastin do të vazhdojnë në aspektin financiar, në drejtim te zbardhjes së shumës prej njëzet e pesë mijë (25.000,00) euro.
Policia e Kosovës do të vazhdoj të punoj me përkushtim dhe vendosmëri, në zbulimin e të gjitha veprave penale dhe sjelljen e kryesve para drejtësisë”, thuhet më tej në njoftim.