Arrestohen katër të dyshuar në veri për sulm të rëndë trupor
Katër të rinj janë arrestuar në Mitrovicën e Veriut, nën dyshimin për lëndim të rëndë trupor. Të arrestuarit, të moshës 20 deri 29 vjeç, akuzohen se sulmuan dy viktima, një 33-vjeçar dhe një 27-vjeçare, në një kafiteri në Mitrovicën e Veriut, më 17 mars. Ata janë arrestuar nën dyshimin se ishin të përfshirë në përleshjen […]
Katër të rinj janë arrestuar në Mitrovicën e Veriut, nën dyshimin për lëndim të rëndë trupor.
Të arrestuarit, të moshës 20 deri 29 vjeç, akuzohen se sulmuan dy viktima, një 33-vjeçar dhe një 27-vjeçare, në një kafiteri në Mitrovicën e Veriut, më 17 mars.
Ata janë arrestuar nën dyshimin se ishin të përfshirë në përleshjen që ndodhi në kafiterinë në rrugën “Xhon Kenedi” në Mitrovicë të Veriut.
Të dy viktimat janë lënduar dhe aktualisht po trajtohen në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ku janë nën përkujdesje mjekësore.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se arrestimet u realizuan pas një hetimi intensiv nga Stacioni Policor i Mitrovicës së Veriut.
“Arrestimi i të dyshuarve është bërë pas një pune intensive të hetueseve nga Stacioni Policor Mitrovicë Veri, të cilët kanë arritur t’i identifikojnë dhe ti arrestojnë të dyshuarit. Të njëjtit janë arrestuar mbi dyshime të arsyeshme për përfshirje në një rast përleshje që ka ndodhur me datë 17.03.2025 në një kafiteri në rrugën “Xhon Kenedi”, Mitrovicë Veri. Si pasojë e kësaj përleshje, të lënduar kanë mbetur viktimat M.P 33-vjeçar dhe 27-vjeçare, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor dhe ende ndodhen nën përkujdesje mjekësore në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Veri”, ka njoftuar policia.
Policia ka raportuar se veprimet e ndërmarra janë paraqitur te prokurori i rastit dhe të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.















