Arrestohen në flagrancë tre persona për shitblerje të narkotikëve në Prizren
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në Prizren, të cilët janë kapur në flagrancë duke bërë shitblerje të substancave narkotike. Sipas njoftimit të Policisë, gjatë një operacioni, është vërejtur një veturë e dyshimtë me dy persona brenda. Njëri nga ta ia ka dorëzuar një sasi të substancës narkotike një personi të tretë, i cili […]
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në Prizren, të cilët janë kapur në flagrancë duke bërë shitblerje të substancave narkotike.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë një operacioni, është vërejtur një veturë e dyshimtë me dy persona brenda.
Njëri nga ta ia ka dorëzuar një sasi të substancës narkotike një personi të tretë, i cili ndodhej në një veturë tjetër pranë tyre.
Dy të dyshuarit kanë tentuar të largohen nga vendi i ngjarjes dhe gjatë ikjes kanë goditur dy vetura të parkuara. Megjithatë, pas ndërhyrjes së shpejtë të policisë, të tre personat janë ndaluar dhe janë arrestuar.
“Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Prizren, gjatë punës operative në terren, në kuadër të planit operativ ‘Sezoni veror 2025’, kanë vërejtur një veturë të dyshuar në të cilën ndodheshin dy persona të dyshuar, nga e cila njëri prej tyre i ka dhënë një sasi substancë narkotike të dyshuarit të tretë i cili ndodhej në një veturë tjetër anash. Pas këtyre veprimeve hetuesit policorë kanë arrestuar tre të dyshuarit nga të cilët dy të dyshuarit me veturën e parë paraprakisht kishin tentuar të ikin nga vendi i ngjarjes, me ç’rast kanë goditur dy vetura të parkuara ku kanë shkaktuar aksident me dëme materiale”, thuhet në njoftim.
Në vazhdim të hetimeve, janë kryer bastisje në shtëpitë e dy prej të dyshuarve, ku janë sekuestruar: 2 kilogramë e 358 gramë marihuanë, e ndarë në doza për shitje, qese najloni për paketim të drogës, me vlerë rreth 11 mijë euro, 115 euro para të gatshme, një peshore elektronike, një rollne foli najloni për paketim, dy telefona mobilë, një veturë me targa vendore.
Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe ndaj tyre pritet të ndërmerren veprimet e mëtejshme ligjore.















