Arrestohen pesë zyrtarë të Agjencisë Kadastrale dhe Agjencisë së Arkivave
Kontrollet dhe bastisjet e përbashkëta nga Policia dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë në Agjencinë Shtetërore të Arkivave dhe në atë Kadastrale, rezultuan me pesë zyrtarë të arrestuar. Ata u nxorën të prangosur nga vendi i tyre i punës dhe u dërguan për procedura të mëtejme. Prokuroria njoftoi rasti lidhet me dyshimet për keqpërdorim i pozitës […]
Kontrollet dhe bastisjet e përbashkëta nga Policia dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë në Agjencinë Shtetërore të Arkivave dhe në atë Kadastrale, rezultuan me pesë zyrtarë të arrestuar.
Ata u nxorën të prangosur nga vendi i tyre i punës dhe u dërguan për procedura të mëtejme.
Prokuroria njoftoi rasti lidhet me dyshimet për keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
“Gjatë këtij aksioni, janë shoqëruar në polici pesë persona M.B., V.B. B.SH. M.B. dhe Z.SH., ndërsa pas intervistimit, disa prej tyre janë arrestuar, mbi dyshimin për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, gjatë së cilës hetimet po vazhdojnë ende për rastin e bartjes së pronave publike në private në mënyrë të kundërligjshme. Hetimet lidhen me rastin e bartjes së paligjshme të pronës publike në pronësi private përmes një aktgjykimi të falsifikuar. Prona në fjalë gjendet në Veternik të Prishtinës, dhe është pronësi publike e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) përkatësisht të ndërmarrjes shoqërore RTP”PROKURORIA THEMELORE – PRISHTINË.
Ndërkohë, Policia – që për këtë rast angazhoi njësitë speciale – konfirmoi se operacioni i përbashkët u shtri edhe në dy komuna të tjera.
“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me autorizim të Prokurorisë kompetente, është duke realizuar një operacion policor i cili përfshin tri komuna: Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime. Operacioni policor po realizohet mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare”- POLICIA.
Lidhur me këtë rast për të cilin para dy vjetësh Kallxo.com kishte publikuar një hulumtim, muaj më parë ishin arrestuar dhe po mbahen në paraburgim dy persona.















