Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në Mitrovicë të Veriut, nën dyshimin për posedim të substancave narkotike, ku njëri nga ta kishte urdhërarrest aktiv në lidhje me veprën penale për narkotikë/laborator droge.

Gjatë angazhimeve të saj në garantimin e sigurisë dhe parandalimin e veprave penale, policia ka ndaluar për kontroll automjetin e tipit VW Golf, të cilën e drejtonte i dyshuari serb me inicialet (N. M.) dhe pasagjerë në automjet ishin të dyshuarit me inicialet (M. T. dhe D. J.)

Siç thuhet në njoftim, pas ndalimit të automjetit nën dyshimin për posedim të substancave narkotike është kontrolluar automjeti, dhe në të është gjetur sasi e dyshuar e kokainës dhe marihuanës.

“Janë informuar njësitet tjera relevante, përfshirë Antidrogën, Forenzikën dhe janë evidentuar dhe sekuestruar si prova materiale dëshmitë si në vijim. Dëshmitë e sekuestruara janë evidentuar si në vijim, sasi e dyshuar e kokainës me peshë rreth 10 gramë, sasi e dyshuar e marihuanës me peshë 98 gramë, para (kesh) 83540 dinar të Serbisë dhe 205 euro dhe katër (4) telefona mobilë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë verifikimit të personave të ndaluar nga Policia e Kosovës ka rezultuar se i dyshuari me iniciale (M. T.) m/s, ka urdhërarrest aktiv në lidhje me veprën penale për narkotik/laborator droge.

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe me aktvendim mbi ndalim për tre personat e dyshuar është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.