Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në Vushtrri të dyshuar për një rast të dhunës në familje që ndodhi mbrëmjen e së dielës, rreth orës 22:00.

Sipas njoftimit, viktima ka raportuar se ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti dhe një familjar tjetër i tij.

Gjatë ndërhyrjes së policisë, të dyshuarit kanë rezistuar ndaj arrestimit, ndërsa në këtë proces ndërhyri edhe një familjar i tretë, duke penguar veprimet e zyrtarëve policorë.

Pas vënies së situatës nën kontroll, të tre personat janë arrestuar.

Me urdhër të prokurorit kujdestar është kryer kontroll në shtëpinë e të dyshuarve, ku janë gjetur dhe konfiskuar: një pushkë ajrore, një pushkë gjuetie, një pushkë M-48, një hark, një thikë, municion i ndryshëm si dhe shigjeta për harkun.

Viktima ka marrë trajtim mjekësor për lëndimet e pësuara.

Ndaj të dyshuarve është iniciuar procedurë penale për veprat: Lëndim i lehtë trupor, Mbajtje pa autorizim e armëve dhe municionit si dhe Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë.