Policia e Kosovës ka njoftuar se i ka arrestuar tre persona, dy prej tyre të mitur. Sipas policisë, ata janë arrestuar për tri vepra penale, vjedhje, posedim i narkotikëve dhe falsifikim i parave.

Policia e Kosovës kishte pranuar një informatë që rreth orës 01:55 të mëngjesit në Ferizaj, në një shtëpi banimi dhe në një garazh në rrugën “Riza Goga” ishte duke u kryer një vjedhje.

“Policia e rendit e më pas edhe policët hetues të stacionit në Ferizaj i kanë marrë veprimet e nevojshme dhe janë vënë në ndjekje të personave të cilët kishin kryer vjedhjen dhe ishin larguar. Pak metra më largë vendit të ngjarjes policia ka arritur që ti arrestojë tre të dyshuarit : M.E (M/K) i moshës 21 vjeçar, S.A (M/K) i moshës 17 vjeçar dhe E.S (M/K) i moshës 16 vjeçar, ndërsa si prova materiale janë gjetur: një pako me kabllo elektrike, tri palë mbathje ( atlete), ndërsa tek i dyshuari madhor M.E janë gjetur: një qese me substancë të narkotikëve dhe para të gatshme 500 euro të cilat dyshohen se janë të falsifikuara”.

“Të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit të tyre, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj janë ndaluar në mbajtje, për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa rasti është cilësuar ‘’ Vjedhje, posedim i narkotikëve dhe falsifikim i parave’’ thuhet në komunikatën Policisë së Kosovës.