Policia e Kosovës ka kryer një operacion dhe si rezultat si rezultat ka arrestuar tre të dyshuar në vazhdën e hetimeve për rastin “Fajdeja”.

Operacioni ka përfshirë kontrollet në pesë lokacione të ndryshme që përfshijnë regjionin e Prishtinës dhe një në regjionin e Mitrovicës.

Ky operacion është zhvilluar të martën në kuadër të Sektorit të Hetimeve të Krimeve të Rënda, të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës, dhe është kryer me autorizimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Gjatë këtij operacioni, janë gjetur dhe konfiskuar një sërë provash materiale.

Siç thuhet në njoftimin e Policisë, konkretisht, janë sekuestruar pesë vetura, tre telefona celular, një laptop, dy USB, dhe disa dokumente të shkruara me dorë.

Pas arrestimit, personat e dyshuar janë në pritje të procedurave të mëtejshme ligjore.

Një aktvendim mbi ndalimin e tyre është lëshuar nga Prokurori i rastit, dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave, ata do të dërgohen në qendrën e mbajtjes për një periudhë prej 48 orësh.